Diplomatët Perëndimor dhe mediat e huaja analizojnë zgjedhjet e 25 prillit

200
Sigal

Ambasadori gjerman Peter Zingraf  apel organeve të drejtësisë: Ankesat dhe akuzat për shitblerjen e votës të trajtohen me vendosmëri. Ambasadori britanik Norman: Të hetohen të gjitha parregullsitë e pretenduara. Kryekomisioneri Celibashi: Do rivlersojmë 83 mijë fletë votimet e pavlefshme. Ja pasqyra e shtypit të huaj

Ambasadori gjerman Peter Zingraf u bën thirrje organeve të drejtësisë

Akuzat dhe ankesat për shitblerjen e votës të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri

Ambasadori gjerman Peter Zingraf, u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë në vend, që çdo ankesë dhe denoncim për shitblerje votash, të trajtohet me vendosmëri dhe shpejt. Përmes një deklarate të shkruar në faqen zyrtare të ambasadës gjermane, Zingraf shkruan se procesi i zgjedhjeve të 25 Prillit, në tërësi ka shkuar mirë, por që duhet pritur për raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR dhe shton më tej se, përmbajtja e subjekteve politike në ditën e zgjedhjeve duhet përgëzuar, si dhe uron kryeministrin Edi Rama, për fitoren e mandatit të tretë.

Deklarata e ambasadorit Peter Zingraf

Rezultatet finale të zgjedhjeve në kohë reale dhe të përditësuara nga burimi zyrtar KQZ, këtë vit do të mund t’i ndiqni në “Dosja.al”. Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e qetë dhe thuajse kudo e paqtë. Fakti, që një numër i madh qytetaresh dhe qytetarësh shqiptarë dhanë votën e tyre, bën të qartë dëshirën për të bashkëvendosur. Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë. Procesi zgjedhor vijoi përgjithësisht pa fërkime, administrata zgjedhore në nivel qendror dhe lokal bëri një punë të mirë – falënderimi im u takon atyre. Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblejren e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë, duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme. Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve, meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Për ne me rëndësi vendimtare është rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Unë pres që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara. Përgëzoj Partinë Socialiste për fitoren. Qeveria e saj do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash. Po kështu përgëzoj edhe Partinë Demokratike, e cila ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme, krahasuar me zgjedhjet e fundit. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë parlamentare, si dhe për përfshirjen dhe kontributin e saj aktiv, për shembull, në ligje dhe vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj.

Ambasadori britanik Duncan Norman: Institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë  e pretenduara

Duncan Norman: “Urime Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, si dhe qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre, pavarësisht kufizimeve të COVID19. Theksojmë gjithashtu, fushatën e bazuar në programe që zhvilloi Partia Demokratike si dhe rritjen e shënuar në rezultat. Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur  dhe ka ndjekur nga afër përgatitjen dhe organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit. Pamë me kënaqësi zbatimin e legjislacionit zgjedhor dhe pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në votim. Inkurajojmë gjithashtu institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin zgjedhor.”

 

“Sueddeutsche Zeitung”: Rama fitoi me manovra të paligjshme, pati blerje masive votash

Gazeta autoritare gjermane, “Sueddeutsche Zeitung” shkruan se Edi Rama i fitoi zgjedhjet në Shqipëri me presione dhe metoda të paligjshme. Ja shkrimi i Florian Hassel: “Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, fitoi një shumicë absolute në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë dhe do të sundojë i vetëm. Për Ramën, kjo është fitorja e tretë radhazi. Ai e ka sunduar vendin kandidat zyrtar për anëtarësim në BE, që prej vitit 2013. Njësoj si zgjedhjet e shkuara, këto zgjedhje u shoqëruan nga përdorimi masiv i burimeve nga pushtetarët dhe me shumë gjasë nga blerja masive e votave. Sipas komisionit shtetëror të zgjedhjeve, socialistët fituan 48.7 përqind të votave dhe në këtë mënyrë 74 nga 140 vende në parlament- mjaftueshëm për një qeverisje absolute për katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike e opozitës u rendit e dyta me 39.4 përqind të votave dhe 59 vende në parlament. LSI e presidentit Ilir Meta, ishte në aleancë me të dhe mori 6.9 përqind të votive, ose katër vende deputetësh. Rama do të vazhdonte të qeveriste gjithsesi, pasi tre deputetët e socialdemokratëve do i siguronin shumicën.

‘Praktikat e përhapura të blerjes së votave’

Megjithatë, fitorja e socialistëve erdhi vetëm përmes manovrave të paligjshme. Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve panë, për shembull, se si pushtetarët e përdorën funksionin publik gjatë fushatës zgjedhore, sipas Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, PACE. “Pretendimet për praktikat e përhapura të blerjes së votave gjatë gjithë procesit zgjedhor mbeten një problem serioz në Shqipëri,” tha shefi i delegacionit të PACE, Aleksander Pociej. “Kjo gjithashtu ka një ndikim negativ në perceptimin dhe besimin e përgjithshëm të publikut në procesin zgjedhor, siç janë stimujt e votimt dhe presioni i ushtruar mbi nëpunësit publikë,” tha Pociej. Vetëm një nga dy votues me të drejtë vote, hodhën votën e tyre. Para zgjedhjeve, vëzhguesit në qytetin e Laçit raportuan për gazetën “Sueddeutsche Zeitung” rreth presionit nga administrata e qytetit, e cila drejtohet gjithashtu nga partia e Ramës, ndaj zyrtarëve dhe për përpjekjet për të blerë vota. Një media lokale raportoi gjithashtu për një abuzim masiv me bazën e të dhënave shtetërore nga socialistët në pushtet gjatë fushatës zgjedhore. Sipas mediave lokale dhe hetimeve nga prokurorët, manipulimi masiv dhe blerja e votive, ka ndodhur edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe 2017. Sidoqoftë, kjo nuk ka pasur ndonjë pasojë juridike të prekshme.”