Boçi: Falenderoj Bashën për besimin, beteja për të çrrënjosur të keqen do të vazhdojë

144
Sigal

Teksa në Qarkun e Elbasanit janë duke u numëruar kutitë e fundit për kandidatët preferencialë, në këtë qark, në radhët e Partisë Demokratike, prin kandidati Luçiano Boçi.

Edhe pse i renditur i shtati në listë në një kohë që PD në këtë qark siguroi 6 mandate, Boçi mund të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm duke thyer herësin.

Pas këtij rezultati, vetë kandidati Boçi përmes një postimi në rrjete sociale shpreh falënderimet për të gjithë qytetarët elbasanas që e votuan.

Ai gjithashtu, falënderon liderin demokrat Lulzim Basha për përfshirjen në listë dhe për ekipin e Qarkut të Elbasanit.

Ndër të tjera, ai thotë se beteja për të çrrënjosur të keqen që ka pushtuar vendin vazhdon.

Postimi i plotë i Boçit:

Shumë pak të shprehësh vetëm falenderime për qytetarët e qarkut Elbasan, të cilët më votëbesuan ndershmërisht, me ideal e vërtetësi, pa u ndikuar as nga paratë e pushtetit, as nga dhuna e tij, as nga joshjet e miklimet për favore!

Nuk mjafton vetëm mirënjohja për strukturat e Partisë Demokratike të qarkut e drejtuesit e tyre, komisionerët, vëshguesit, grupet mbështetëse, përfaqësuesit e ZAZ-ve, numëruesit, të gjithë anëtarët e PD, të cilët më përkrahën pa bujë e zhurmë, po me shpirt e zemër, në këtë betejë të pabarabartë me të keqen!

Përulje respekti për ekipin tim të mrekullueshëm e të palodhur, plot jetë, vlera e vizion, me vajza e djem të mençur, entuziastë e me shumë dëshirë për të ardhmen!

Nderime pa fund për shokët e miqtë e mi të shumë brezave e shtresave e bashkëpunëtorët e kaq viteve politikë, të cilët nuk u shkëputën as një minutë e centimetër nga lufta krah meje!

Vlerësime të sinqerta e të vërteta për Kryetarin e PD, zotin Basha që me besoi kandidimin, për Gazin që drejtoi me dinjitet fushatën e qarkut, për grupin cilësor të deputetëve që me diferencat e qëndrimeve e opinioneve kalimtare, më motivuan më shumë.

Në fund, familja ime tashmë e rritur në numër, jam vetë unë!

Megjithatë nuk mund të bërtas dot FITORE, sepse kjo e imja është thjesht një rreshtim i ri pranë të gjithëve ju!

Beteja për të çnjërrosor të keqen që ka pushtuar vendin vazhdon…