‘Digjet karta e Dubait” miratohet marrëveshja e ekstradimit për të inkriminuarit me Emiratet e Bashkuara Arabe

Është miratuar marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit. Kjo është cilësuar si një marrëveshje shumë e nevojshme edhe nga Partia Demokratike, e cila e ka përshëndetur arritjen e kësaj marrëveshje.  Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji kërkoi që qeveria shqiptare të përshpejtojë dhe të arrijë në një situatë për të zgjidhur çështjen e esktradimit të kriminelëve që jetojnë, madje drejtojnë edhe grupet nga Dubai. Duke folur në Komisionin e Sigurisë Salianji u shpreh se ndërkohë që pushka kërcet në Shqipëri shampanja hapet në Dubai duke iu referuar pretendimeve se shumë nga të kërkuarit e drejtësisë shqiptare mund të strehohen në Dubai. Ervin Salianji: ” Kjo është një marrëveshje që është kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe jo nga Shqipëria. Duke qenë se kjo marrëveshje kalon për shkëmbim informacioni, deri sot nuk është shkëmbyer informacion me Emiratet e Bashkuara Arabe? Pushka kërcet në Shqipëri, shampanja hapet në Dubai. Ka mundësi Shqipëria që t’i sjellë këta?”,- ka deklaruar Salianji. E pyetur nga Enkelejd Alibeaj, zëvendës ministrja e Brendshme Romina Kuko tha se është hera e parë që lidhet një marrëveshje e posaçme ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Alibeaj tha se kjo marrëveshje duhet të ishte kërkuar nga qeveria shqiptare. “Kush kryen krime, pas disa kohësh fillon e ndihet se është në Dubai. Duhet të kishte një kërkesë nga qeveria shqiptare drejt Emirateve të Bashkuara, por marrëveshja është kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe”,- u shpreh Alibeaj.

Sigal