Desir: Franca mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

426
Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, Harlem Desir, që ndodhet sot në Tiranë, u prit paraditen e së mërkurës nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. Pas takimit, në konferencën e përbashkët për shtyp, sekretari francez konfirmoi mbështetjen për Shqipërinë në procesin e integrimit, ndërsa e vuri theksin tek përmbushja e pesë prioriteteve kyçe, ku veçoi reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Diplomati francez vlerësoi rolin pozitiv dhe bashkëpunues të Shqipërisë në rajon.
“Franca ka qënë vendi i parë që ka shprehur mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u shprehur se ato janë pjesë e Europës dhe duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Hapat që ka bërë Shqipëria në këto vite janë vërtet impresionuese dhe tregues i kësaj është marrja e statusit të vendit kandidat. Progres i bërë nga ju është i rëndësishëm, por mbetet akoma shumë për të bërë. Këto janë çështjet që besojmë se Shqipëria do të avancojë shumë shpejt dhe Franca është këtu për ta mbështetur atë, që ajo të jetë anëtare e BE-së. Kjo do t’i ndihmojë për sfidat ekonomike. Kemi projekte konkrete bashkëpunimi në fushën e drejtësisë si bashkëpunimi mes shkollave të magjistraturës, besojmë se do kemi avancim edhe në fushën ekonomike”, u shpreh Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, Harlem Desir”, deklaroi sekretari Desir.
Në konferencën e përbashkët ministri i jashtëm shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Francës për procesin e integrimit. “Falënderova Desir për mbështetjen e Francës në procesin e Integrimit. Mirënjohje për praninë e tyre në rajon” u shpreh Bushati.
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në deklaratën e shkurtër për mediat tha se e informoi ministrin francez për gjithë reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare, si dhe ecurine e pesë prioriteteve kyçe. “Besojmë se kjo do te përbëjë dhe bazën e një progres raporti pozitiv në muajin tetor”, tha ministrja. 
Sigal