Dështon Samiti i Diasporës/ Qeveria e shndërroi takimin në bashkëbisedim me militantët partiakë. Pas refuzimit nga “VATRA” dhe letrës së tenorit Agim Hushi për ministrin Majko, flet nga Kanadaja dirigjenti Bujar Llapaj: Ja pse nuk marr pjesë!

636
Sigal

Nuk ftohen personalitetet, intelektualët, shkencëtarët, Shoqata “Vatra”, sepse nuk konsiderohen “tanët” nga Partia

Dështon Samiti i Diasporës, qeveria e shndërroi në bashkëbisedim “Për Bashkinë”

Fillimisht, për Samitin Kombëtar ishte planifikuar Salla e madhe e Pallatit të Kongreseve. Mirëpo, të ndodhur përpara një disfate të karrigeve bosh, ngaqë “të ftuarit” në Samitin e Diasporës nuk erdhën. Të ndodhur përballë karrigeve bosh, organizuesit e Samitit të Diasporës, përgatitin një sallë tjetër, më të vogël, në mënyrë të tillë që të duket “e mbushur” plot me të ftuarit. Madje, u thirrën urgjent edhe dhjetëra punonjës të administratës publike, për t’u ulur në karriget bosh, në sallën ku u mbajt mbledhja e parë e Samitit të Diasporës, për të fshehur sadopak dështimin e mospjesëmarrjes. Kryeministri Rama, në fjalën para Samitit të Diasporës nuk trajtoi aspak problemet që ka Diaspora, as nuk parashtroi program të qeverisë për të ndihmuar dhe kontribuar për Diasporën, por thjesht bëri nj paradë suksesesh, marrë copy nga ato fjalime të gjata e të përditshme të bashkëbisedimit “Bashkia që duam”, duke i dhënë ngjyra elektorale edhe Samitit të Diasporës.

 Nuk ftohet “Vatra”, e cila është simboli i Diasporës Shqiptare

Në Samitin e Diasporës Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”, nuk mori pjesë, me vota të hapura u vendos që “VATRA” të mos bëhej pjesë e një farse paraelektorale të Kryeministrit me argumentin, se pjesëmarrja dekorative në atë Samit nuk i shërben diasporës, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por vetëm partisë së Kryeministrit. Sipas “VATRA”, ky Samit është thjesht një farsë dhe asgjë më shumë, se ai nuk mund dhe nuk duhet ta manipulojë e as ta politizojë diasporën, të mos e përçajë atë, se ai në vitet e qeverisjes nuk ka bërë asgjë për diasporën. Ajo që ra në sy në pjesëmarrjen e të pranishme në Samitin e Diasporës ishte se mungonin personalitetet, intelektualët, shkencëtarët, njerëzit që janë shquar në Diasporë, kontribuuesit e vërtetë të Kombit, përfaqësuesit e emigrantëve në Greqi, Itali, Gjermani etj. Sipas të thënave të pranishmëve, në këtë Samit të Diasporës u ftuan me pompozitet vetëm përfaqësuesit partiakë, njerëzit e njohur të zyrtarëve të lartë, dhe mbi bazën e njohjes e miqësive personale. Edhe pak emigrantë që erdhën në këtë Samit të Diasporës, ata pohuan që nuk kishin ftesë, dhe të gjitha shpenzimet e bëra do t’i paguajnë nga xhepi i tyre, madje u habitën kur mësuan këtu në Tiranë, se për këtë Samit të Diasporës qeveria do të shpenzojë 673 milionë lekë. Pyetja e vetme që emigrantët e ardhur në Samit ishte: Po për çfarë shpenzimesh qeveria do të paguajë 673 milionë lekë? Për 1 stilolaps dhe një çantë dore prej letre të dhuruar?

Shpëtim Idrizi: Në Samitin e Diasporës kryeministri nuk kishte ftuar asnjë nga Komuniteti Çam

Në një aktivitet të PDIU të organizuar me rastin e përkujtimit të masakrës së Filatit, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, tha se në Samitin për Diasporën, kryeministri Rama nuk kishte ftuar asnjë përfaqësues nga Komuniteti Çam.

Reagimet e intelektualëve të Diasporës Shqiptare: Karnaval dhe festival folklorik

Ardian Vehbiu nga Nju Jorku, shkrimtar dhe administrator i blogut “Peizazhe të Fjalës”, nuk heziton ta quajë samitin një “shaka të shpëlarë”. Për mua, ky “samit” është diçka midis karnavalit dhe festivalit folklorik – një festë me kostume dhe buzëqeshje të subvencionuara. Ndoshta pushteti në Shqipëri ka nevojë për vaki të tilla – shqiptarët që jetojnë anembanë botës dhe që nuk kontribuojnë për këtë klasë politike jo”, përfundon Vehbiu për DW. Ai vetë, megjithëse tashmë një figurë e njohur ndër intelektualët e diasporës, nuk është ftuar në këtë samit.

 Rando Devole, sociolog dhe ekspert në fushën e migracionit, ka marrë pjesë në samitin e kaluar dhe madje për këtë samit është propozuar për Këshillin e Kombëtar të Diasporës, por pa dijeni te tij. Por ai e vëzhgon për së largu, nga Roma, tubimin e dytë madhështor të mërgatës në atdhe. Edhe ai i thotë DW-s se sheh një rrezik që Samiti i Dytë të shndërrohet në “një fasadë për retorikën e radhës”.

Artur Elezi, profesor matematike dhe aktivist i kahershëm në Uashington thotë për DW: “Me kë do të flasë qeveria? Ka miliona emigrantë dhe kushedi sa zëra! Duhet një strukturë si fillim, që të jetë përfaqësuese e Diasporës, në bisedim me qeverinë për hartimin e një strategjie afatgjatë.

Përfaqësuesit e shoqatës “GERMIN”, Liza Gashi nga Prishtina dhe Mark Kosmo nga Bostoni kritikojnë se diaspora është “mysafire, dhe jo partnere”. Sepse, me gjithë organizimin e madh dhe shumë tradicional të shqiptarëve në diasporë, samiti është organizuar direkt nga qeveria, dhe të ftuarit janë përzgjedhur nga ambasadat përkatëse në këto vende.

As Jozef Radi, president nderi i shoqatës “Aquila” të Anconës, në bisedë me DW ai thotë se parimisht e përkrah idenë e një samiti, nëse ky do të ishte i vërtetë. “Politizimi i diasporës është një manovër që s’mund të prodhojë ndonjë efekt pozitiv, por vetëm sa do ta përçajë më tej atë,” thotë ai.

Një përçarje e parë vihet re edhe nga pritja që po i bën diasporës elita vendore: Në samit janë ftuar të mbajnë fjalime presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por jo ai i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por jo ai Kosovës, Ramush Haradinaj.

Letër e Hapur Ministrit të Diasporës, Z. Pandi

Meqë ju shkrova personalisht dhe s’morët mundimin të më përgjigjeshit po ju shkruaj publikisht që ta dinë dhe shqiptarët se ç’qeveri kanë dhe përse diaspora s’duhet t’i bjerë dajreve të Rilindjes!
Po ju shkruaj me zhgënjim nga Sydney, por i lumtur në thelb që s’më ftuat dhe s’u bëra pjesë e teatrit tuaj. Natyrisht, jo vetëm që s’do t’ju vija t’ju shihja në sy, por do t’jua kisha qëndisur dhe një kartolinë të rastit siç e meritoni!

Më 2005 bëra më të mirën për PS-në dhe kontribuova si qytetar i lirë ku shpalosa një kulturë politike që edhe sot pas 14 vitesh vështirë ta dëgjosh në të dy kampet!

Më 2013 me bindje të plotë, me zë dhe figurë përkraha Rilindjen i bindur se regjimi i kohës duhej larguar një orë e më parë, bashkë me fitoret e garave të tij tragjike të notit, kur kishte humbur të gjitha garat me qeverisjen!

Jam larguar me familjen më 1992 për studime dhe e kisha ëndërr si të gjithë të larguarit të kthehesha në atdheun që më mungonte aq shumë! Të martoja djalin me një shqiptare, të bëhesha gjysh, të pija kafen e mëngjesit me komshinjtë dhe miqtë e mi të mrekullueshëm dhe krushkun tim të shkëlqyer Gacin! Lashë Vjenën ku drejtova për 12 vite departamentin e Operës në Viena Konservatorium për Tiranën, me bindjen se eksperienca ime nëpër botë, si artist dhe akademik do konsideroheshin siç dhe katër gjuhët e huaja dhe personaliteti im i sprovuar artistik do vlenin në atdhe! Por Rilindja m’i mbylli të gjitha dyert ndryshe nga ç’kisha besuar dhe ç’na ishte premtuar!
Mirela Kumbaro as nuk denjoi ta lexonte projektin tim për TKOB dhe pas një farse “konkurs” që më zhgënjeu, me imoralitetin dhe paprofesionalizmin u riciklua një person pa asnjë lidhje me operën dhe edukimin klasik, një ish e larguar me ceremoni për abuzim detyre dhe çështje fondesh! U largova i detyruar përsëri nga atdheu me dhimbje. Ma shkulën me forcë dëshirën për të kontribuar dhe jetuar në atdheun tim që kisha 20 vjet që e kisha lënë, jo nga dëshira, por për studimet dhe karrierën! Shtoj këtu, se me vete solla dhe djalin tim, i rritur dhe edukuar me dashurinë për atdheun, i cili ka kryer studimet në Universitetin “Schiller” të Parisit dhe i specializuar në Sorbonë për Marrëdhënie Ndërkombëtare! Por për djalin tim ishte naive ta mendoja se do t’i afrohej ndonjë mundësi! Isha larguar me familjen më 1992-shin për studime dhe dëshiroja të kthehesha në atdhe. Por bashkë me dhimbjen e ikjes nuk do harroj kurrë baltosjen që “patriotët” e rilindjes, fjalëve të mia që këta politikanë më bëjnë të më vijë turp që flasin gjuhën time i kthyen në: “më vjen turp që jam shqiptar” Natyrisht këta “patriotë” dhe gazetarë rilindës që rivranë ëndrrën time të kthimit në atdhe, dhe udhëhoqën kaq paturpësisht fushatën e baltosjes time me shpifje do t’i shihni në sallën e gjyqit ditën e parë që do të jem në Shqipëri!
Por gjyqin Rilindjes mund t’ia bëjnë vetëm njerëz të moralshëm të PS-së dhe qytetarë të ndershëm që e njohin mirë Rilindjen dhe timonierin e saj!

Si Ministër i Diasporës më la shije të hidhur heshtja juaj kur vizituat Sydneyn dhe ikët siç erdhët: si hije, pa asnjë vlerë për diasporën. Ose diaspora për ju janë vetëm ata që duartrokasin dështimin tuaj spektakolar dhe sukseset e teatrit tuaj qeverisës! Por sikur s’u mjaftuat me çfarë më keni borxh, tani që keni mbledhur diasporën keni vendosur edhe të më zhbëni! Sa qesharakë dhe mjeranë! Unë jam, jo vetëm diasporë, por jam i bindur se jam në pjesën më dinjitoze të saj!
Jo vetëm si artisti i parë shqiptar që u kontraktova si solist në një opera të huaj, më 1993, por nga viti 2002 deri në 2005 kam qenë kryetar i komunitetit shqiptar në South Australia ku është përqendruar emigracioni shqiptar pas Melbournit. Kam ngritur radion dhe shkollën shqipe në Adelaide dhe sot jam pedagog në një nga shkollat më të mira ndërkombëtare e artit në Australi!
Ju bëj thirrje për mos t’u tallur me diasporën dhe dashurinë, dhimbjen e saj për atdheun! Turp për qeverinë tuaj që krijoni përçarje mes nesh!

Nëse s’më ftoni është turpi juaj, se kjo nuk është dasma e djalit të Edi Ramës, por mbledhja e diasporës!
Turp! Turp! Turp!

Që ndani shqiptarët në tanët dhe jo tanët! Këtë as Enver Hoxha s’e ka bërë kaq paturpësisht!
S’më harrohet dita kur solla plaçkat e shtëpisë nga Vjena dhe Arben Ahmetaj, më taksoi rrobat e trupit. Ka qenë kthimi im më i keq në jetë!

Kam ndërruar shumë shtete dhe kufij po rrobat e trupit askund, askush nuk m’i kishte taksuar veç shtetit tuaj!

Kam kaq shumë për të thënë, por po e mbyll me lutjen: Mos luani me ne dhe ndjenjat tona të shenjta, se atdheu nuk është i juaji dhe as i pushtetit tuaj me policë dhe gaz lotsjellës, që po merr përgjigjen e popullit çdo ditë e më shumë!

Sinqerisht
Agim Hushi


Bujar Llapaj
, Dirigjent në Kanada: Ja pse nuk marr pjesë në Samitin e Diasporës

 

Ministrit të Shtetit për Diasporën Z. Pandeli Majko
I nderuar zoti Ministër,
Para disa ditësh nga zyra Juaj mora një email-ftesë për Samitin II të Diasporës. Fillimisht desha T’ju falënderoj për ftesën dhe duke pasur një konsideratë të veçantë për Ju personalisht si një politikan i pa përfolur për korrupsion, si një patriot me zemër, si një zë i pavarur edhe kundër të gjithëve si në rastin e votimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, do të desha publikisht T’ju shpreh arsyet, përse unë refuzoj të marr pjesë në atë Samit, shqip: mbledhje apo kuvend të Diasporës.
1. Normalisht në Samitin II duhej të bëhej një analizë se çfarë është realizuar nga objektivat e përcaktuara nga Samiti I, në qoftë se ka pasur të tilla dhe jo vetëm fotografi me “udhëheqësit” apo çmallje dhe lot mallëngjimi për Mëmëdheun.
2. Edhe pse në Këshillin e Diasporës mund të jenë njerëz vërtet të shquar në fushën e tyre dhe aktivistë në komunitet, përzgjedhja e tyre nga qeveria e kompromenton qëllimin dhe procesin dhe nuk përputhet me normat demokratike që zbatojnë vetë shoqatat e shqiptarëve në mërgim.
3. Harxhimi i 66 milionë lekëve (të reja) nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për këtë aktivitet 3 ditor, mua më duket e tepërt, jo normale për një shtet me 1001 probleme ekonomike, ku shumë familje shqiptare vuajnë mungesën e bukës për fëmijët, dhe do të ishte cinike dhe kriminale që unë apo shumë të tjerë të vijmë dhe kapardisemi nëpër tribuna dhe ekrane.
4. Është hipokrizi dhe cinizëm të ftosh dhe harxhosh miliona për të marrë “mendjen” e Diasporës, kur politika shqiptare në përgjithësi dhe ajo “Rilindëse” në rastin konkret, nuk kanë nevojë për mendje, por për demagogë dhe servilë. Do ta quaja të sinqertë këtë kur “udhëheqësit” të dëgjonin dhe shfrytëzonin së pari potencialet intelektuale që jetojnë në Shqipëri. Unë nuk do të pranoja të bëhesha pjesë e një maskarade të tillë.
5. Askush nga politikanët shqiptarë nuk mund të marrë rolin e Skënderbeut dhe të imitojë Kuvendin e tij të Lezhës. 6 shekuj përpara Skënderbeu i bashkoi shqiptarët nën një flamur, nën një ideal, kurse stërnipat e tij për gati një shekull kanë sunduar popullin e vet me mënyrat nga më barbaret, e kanë përçarë si kurrë më parë për pushtetin e tyre personal, ca në emër të “anti-komunizmit”, të tjerë për “rilindjen”. Në krizën e gjithanshme që gjendet tani Shqipëria, pjesëmarrja në këtë Samit është thjesht t’i shërbesh si mbështetje “Rilindjes”, jo Shqipërisë.
6. Vetë Diaspora, përpara se të jetë pjesëmarrëse e një Samiti, kërkon të bëhet realisht ndikuese dhe kontribuese në proceset demokratike të Shqipërisë, duke iu siguruar e drejta e VOTËS, themeli i të drejtës qytetare. Kur?

I nderuar zoti Majko, Ju drejtohem Juve si një figurë politike e pa kompromentuar jo vetëm e PS-së: do të ishte në nderin dhe respektin e Diasporës dhe Tuajin personal që ta anuloni këtë Samit. Duke gjykuar që “Rilindja” është shndërruar në një sekt politiko-ekonomik që nuk përfaqëson jo vetëm shqiptarët dhe hallet e tyre, por as PS-në, do të doja që e Ju, qoftë dhe i vetëm, të mbeteni tek idealistët e Partisë Socialiste!

Me respekt dhe konsideratë të veçantë,

Bujar Llapaj Vankuver, Kanada