Deputeti socialist: Koordinatorët e qarqeve janë bejlerët e punësimit, ne kemi në dorë çelësat e kashtës

483
Deputeti socialist, më ftoi të pinim një kafe pune, duke iu shmangur dje, qëndrimit të gjatë në sallën e Parlamentit, ngaqë, siç më tha, “ po përjeton sa herë një komedi, dhe i duket se atje në sallë edhe ai me heshtjen e tij, bëhet pjesë e teatrit politik. (Meqë biseda midis nesh, u zhvillua konfidenciale dhe jashtë klisheve, nuk mund të publikoj dot emrin). Si u rehatuam në lokalin pranë Parlamentit, e pyeta deputetin se çfarë bëhet në zonën e tij elektorale për analizën e 21 qershorit dhe pranimet e reja në PS. Deputeti më pa me habi, thua se e pyeta, nëse kishte qenë në Mars, dhe mu përgjigj me pyetje.

-Doni t’ju them të vërtetën, që më shqetëson më shumë?
– Thuaje, pa merak.

– Po, më jep fjalën, që nuk më nxjerr emrin?
– Po, por të vërtetën, mund ta publikoj.

– Njëfarësoj, edhe unë dua që ju ta botoni. Mbase fjalët bien në ndonjë vesh, që do të dëgjojë, sa pa ndodhur hataja e madhe.
– Parandieni edhe ju, hata?- e pyeta deputetin socialist, i habitur, pasi nuk e kisha kuptuar çfarë halli do të bisedonim.

– Më beson, që nuk guxon dot të takoj asnjë banor, asnjë të njohur në zonën time elektorale?!
– Pse? Juve ju respektojnë,- e pyeta deputetin, duke e njohur për reputacionin që gëzon.
– Unë nuk kam kurajë të takoj dot elektoratin tim. Deri tani, nuk kemi mbajtur dot premtimet. 

– Mbase ju nuk keni edhe shumë gjëra në dorë?
– Unë jam i zgjedhuri i tyre. Në fushatë elektorale, unë i takova të gjithë, u premtova gojazi, që bashkërisht do të përpiqemi që të zgjidhim problemet. Por, tani…

– Çfarë ka shkuar keq?
– Shumë gjëra. Unë, si deputet i zonës, nuk kam në dorë asgjë. Dëgjoj banorët, mbaj shënim hallet e tyre, por kur këto i përcjell te ata që kanë në dorë zgjidhjen, gjej derën e mbyllur, edhe në ministri të ndryshme, ku kam vajtur, t’u kërkoj ndihmë për problemet e banorëve të zonës time elektorale.

– Edhe juve, si deputet, ju mbyllin derën ministrat tuaj?
– Po, po, mos u habit. Ta them me plot gojën. Ka shumë ministra që nuk më hapin telefonin. Nuk kam asgjë personale me asnjë prej tyre, madje, disa i kisha shokë të mirë, kur ishim në opozitë. Edhe kur i takoj, më thonë, “Më, fal, ngutem, takohemi nesër” dhe kjo “nesër” zgjati dy vjet. 

– Kush i ka gjërat në dorë në zonën tënde, që nuk i ke ti, si deputet?
– Të tjerë, nga lart, komandojnë për çdo gjë. Përcjellin urdhrat me telefon, duke më shpërfillë fare, mua. Tani, që janë caktuar koordinatorët nga kryesia e PS, për analizën e punës në PS, për zgjedhjet e reja në parti, ai koordinator që është në qarqet ku jam unë është i plotfuqishëm. Ne, deputetët e tjerë, na ka dhënë çelësat e kashtës. Koordinatori vendos për gjithçka. Që nga emërimet, e deri se cilët duhet të zgjidhen në forumet e partisë në qark. 

– Kush do ta mbajë përgjegjësinë e analizës? 
– Çfarë analize, mendoni ju, se duan të bëjnë?! Çdo gjë është e stisur. Disa veta në bazë, që kanë besimin e koordinatorit të kryesisë të PS, thurin e shthurin gjithçka dhe ata vendosin, se cilëve do t’jua ngarkojnë përgjegjësitë e humbjes elektorale, cilët të tjerë duhet të zgjidhen në forumet e partisë. Kur, koordinatori i Kryesisë së PS, nuk më pyet mua, si deputeti i zonës, kush i pyet socialistët në forume. Ndaj, njerëzit e thjeshtë dhe socialistët na kthyen krahët edhe në 21 qershor, sepse deri tani, nuk u kemi bërë asgjë. E di, dhe jam i vetëdijshëm, që i kemi zhgënjyer. Ndaj, nuk dua të bëhem pjesë e komedisë që luan koordinatori. E di, që pak veta, atje lart në kryesi, mund të më besojnë mua, edhe nëse këto gjëra ua them, troç. Por, të paktën, unë nuk dua të shtirem me njerëzit, që njoh, me ata që më respektuan, duke më votuar. Ata, nuk mundem t’i gënjej, duke u premtuar gjëra, që jam i bindur, që nuk do bëhen dot kurrë. Ndaj, më mirë, hesht dhe nuk dua të bëhem pjesë e prapaskenave partiake. 
Sigal