Deputetët e privilegjuar. Morrën bonus qiraje, por bënin banjo deti

62

Ndërsa na çirren ekraneve të televizioneve, se lodhen për të mirën e shqiptarëve, deputetët tanë jetojnë si pashallarë në sulltanet. Gjatë gushtit, edhe pse shijonin pushimet, 21 deputetë morrën 330 USD bonus qiraje. 110 deputetë përfituan 350 USD për karburant. 71 deputetë kanë marrë deri në 750 USD për dieta. Pashallarët e “Kombit” nuk pranojnë të diskutojnë projektligjin e depozituar në prill 2020, që parashikon përgjysmimin e privilegjeve të deputetëve

21 deputetë rezultojnë se kanë përfituar bonus qiraje sikur banojnë në Tiranë, gjatë pushimeve verore, në muajin gusht 2020. Ligjvënësit kanë përfituar nga buxheti i shtetit 35 000 lekë ose 330 USD secili, ndërsa kanë qenë duke shijuar pushimet. Përfituesit janë Kostaq Papa, Selami Jenishehri, Nikolin Staka, Fatjona Dhimitri, Eugen Bojaxhiu, Vasil Sterjovski, Artemis Dralo, Halil Jakimi, Arlind Çaçani, Ediola Braha, Nimet Musaj, Enada Kapllani, Senida  Mesi, Dritan Bici, Luan Harusha, Edmond Leka, Xhevit Bushaj, Edlira Bode, Antoneta Dhima, Fadil Nasufi dhe Fatmir Velaj. Kuvendi i Shqipërisë ndërpreu punimet në 30 korrik 2020, në kuadër të mbylljes së sesionit parlamentar dhe pushimeve verore. Punimet rifilluan në datën 7 shtator 2020. Gjatë kësaj periudhe, 116 deputetë  nuk kanë përfituar dieta për udhëtime brenda dhe jashtë vendit, as pagesa për telefon dhe karburant, as honorare apo pagesa për fjetje në hotel, por vetëm pagën bazë bruto 156,770 lekë ose neto 118,215 lekë. Përjashtim përbëjnë vetëm deputetë që pretendojnë se nuk kanë një banesë në Tiranë dhe që jetojnë në kryeqytet me qira. Deputetët e lartpërmendur kanë përfituar pagesa për qiranë edhe gjatë periudhës së karantinës së përgjithshme. Gjatë kësaj periudhe 71 deputetë kanë përfituar deri në 750 USD në muaj dieta, ndërsa 110 deputetë kanë përfituar 160 USD për telefon dhe rreth 350 USD secili për karburant. Që në muajin prill 2020, në Kuvendi është depozituar një projektligj nga Erion Piciri, i cili parashikon përgjysmimin e pagave të deputetëve si dhe kufizimin e përfitimeve të tjera. Por, kjo nismë ligjore nuk është parashikuar për t’u shqyrtuar në komisionet parlamentare përkatëse.