Deputetët anonimë që propozuan shkatërrimin e zonave të mbrojtura

25

Kjo bandë anonimësh ka marrë përsipër betonizimin e zonave të mbrojtura dhe nuk mbahen mend për asnjë qëndrim, ide apo tezë politike. Disa është e vështirë t’i gjesh edhe duke lundruar në google. Por edhe atyre që u gjendet emri shfaqen ose se kanë zëvendësuar një koleg të dënuar me mandat të hequr, ose se parkojnë makinën si të fortë në trotuar

Sigal

 

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten në një seancë 4 minutshe, me 74 vota të PS-së ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura, që i hap përfundimisht rrugën ndërtimeve dhe betonit, në parqet natyrore që janë një pasuri e çmueshme e të gjithë shqiptarëve. Opozita e cila e kundërshtoi këtë plan të ri plaçkitjeje denoncoi emër për emër deputetët rilindas, që u bënë “nismëtarë” për ndryshimin e ligjit të vitit 2017, që u kundërshtua nga ambientalistët vendas dhe nga Bashkimi Evropian. Ata janë (nga e majta në të djathtë rreshti sipër) Fadi Nasufi (qarku i Beratit), Florenc Spaho (Elbasan), Arkend Balla (Durrës), Edona Bilali (Shkodër), Bujar Çela (Lushnje), Anduel Tahiraj (Vlorë).(Reshti poshtë nga e majta në të djathtë): Shpresa Marnoj (Lezhë), Mirela Pitushi (Fier), Denis Deliu (Durrës), Klodiana Spahiu (Durrës), Enslemvera Zake (Korçë), Eduart Ndreca (Lezhë). Lapsi bëri një kërkim të shpejtë në rrjet. Përveç Fadil Nasufit që është një socialist i vjetër dhe ka qenë edhe kryetar bashkie i Beratit dhe Edona Bilalit, të cilën nga askushi Rama vendosi ta bëjë për disa kohë ministre, pjesa tjetër janë krejtësisht anonimë. Pothuajse nuk flasin kurrë në kuvend. Nuk mbahen mend për asnjë qëndrim, ide apo tezë politike disa prej të cilëve është e vështirë t’i gjesh edhe duke lundruar në google. Por edhe atyre që u gjendet emri shfaqen aty ose kanë një kushëri të burgosur, ose se kanë zëvendësuar një koleg të dënuar me mandat të hequr, ose se parkojnë makinën si të fortë në trotuar, ose si nëna me shumë fëmijë, ose si barby që shkojnë me minifund në sallën e parlamentit. Pra kjo bandë anonimësh ka marrë përsipër betonizimin e zonave të mbrojtura. Natyrisht, gjithkush e di se ta nismëtarë të ndryshimit të ligjit kanë qenë vetëm formalisht, madje as mund të kenë marrë mundimin ta kenë lexuar relacionin shoqërues. Por pikërisht këtë, këta deputetë simbol të ‘banalitetit të së keqes” janë treguesi më i mirë se deri në ç’pikë ka degraduar partia që drejton sot vendin dhe parlamenti i kontrolluar prej saj. Ndryshimet e “propozuara” nga 12 deputetët dhe të miratuara me 74 vota rrezikojnë sipas aktivistëve mjedisorë dëmtimin pa kthim të natyrës së mbrojtur, duke lejuar ndërtime të rënda brenda tyre për arsye ekonomike dhe turistike. Në seancë u votua një projekt draft i shpënë në parlament në momentin e fundit pa konsultim publik, dhe pse zyra e BE i kërkoi Kuvendit ta tërhiqte, pasi dispozitat binin ndesh me legjislacionin europian për mjedisin. Ndryshimet ligjore të qeverisë lejojnë brenda Zonave të Mbrojtura “struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur”. Këtej e tutje do t’i takojë K.K. të Territorit që pa konsultimin publik të vendosë rregullat dhe kriteret për zhvillimin e këtyre zonave.