Nis plani për betonizimin e Zonave të Mbrojtura, 1 mln euro për infrastrukturën e disa parqeve

19
Sigal

Nis betonizimi i zonave të mbrojtura vetëm pak ditë pas miratimit të ndryshimeve ligjore në Kuvend. Me një koordinim thuajse perfekt, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka shpallur disa tendera me vlerë afërisht 1 milionë euro për ndërhyrje infrastrukturore në disa nga parqet e vendit në të njëjtën ditë që maxhoranca e Edi Ramës miratoi në Parlament ndryshimet ligjore, që i hapin rrugë betonizimit të perlave të natyrës shqiptare. Në 22 shkurt 2024, Agjencia për Mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura shpalli në Regjistrin e Parashikimeve të Prokurimeve Publike procedurat për shërbime konsulence mbi ndërhyrje infrastrukturore në parkun e Karavastasë, hartimin për menaxhimin e parkut të Liqenit të Shkodrës, atë të Malit të Tomorrit, në Ujërat Termale të Bënjës në Përmet, në Kanionin e Langaricës dhe në zonën e Theth-Valbonës.

Gjithashtu, Agjencia ka parashikuar tendera për studimin dhe rivlerësimin e zonave të mbrojtura dhe të listës së monumenteve të natyrës. Këto procedura tenderuese, të cilat arrijnë për momentin në 7 të tilla, përllogariten në një vlerë prej mbi 900 milionë lekë të vjetra. Në seancën e fundit plenare, deputetët e Partisë Socialiste miratuan vetëm me votat e tyre disa ndryshime në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”. Sipas maxhorancës, këto ndryshime do të ndikojnë në rritjen e cilësisë së parqeve të mbrojtura. Ndërkohë, opozita dhe shoqëria civile ngritën alarmin se ndryshimet ligjore po i hapin rrugën betonizimit të zonave të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë. Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka shprehur rezerva për ndryshimet ligjore të iniciuara nga kryeministri Edi Rama. Në një reagim pas seancës parlamentare, zyra e Bashkimit Europian në Tiranë deklaroi se do të monitorojë zbatimin e ligjit dhe përputhjen e tij me standartet ndërkombëtare.