Dekriminalizimi/ Verifikimi i formularëve për 13 deputetë dhe 8 kryetarë bashkish, 3 anëtarët e KQZ braktisin mbledhjen

519
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është mbledhur prej orës 14:00, për të bërë riverifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për 21 zyrtarë, 13 deputetë dhe 8 kryetarë bashkish. Pavarësisht diskutimeve për disa orë, 3 prej anëtarëve të propozuar nga opozita kanë lënë mbledhjen. Bëhet fjalë për Hysen Osmanajn, Klement Zgurin si dhe Vera Shtjefnin.
Në fjalën e tij Osmanaj theksoi se ishin përzierë krimet penale me gabimet e gjendjes civile. Më i ashpër ka qenë reagim i Shtjefnit, e cila tha se sot dekriminalizimi kishte marrë goditje të rëndë. Sakaq, Zguri theksoi se ky gjykim ishte politik, pasi KQZ kishte thirrur njerëz që nuk kishte arsye të ishin në ato lista.
Ndërkohë, kreu i KQZ-së, Denar Biba tha se fakti që janë bashkuar listat nuk do të thoshte se ishte e njëjta situatë. “Gabimet në formular, mund të humbësh mandatin. Nuk kanë plotësuar saktë formularin sipas prokurorisë. Për ne e kanë plotësuar saktë formularin. Mirë do ishte që formulari të hartohej ndryshe”, tha Biba.
LISTAT
Ndër emrat e listuar nga KQZ janë deputetët Sali Berisha, Arben Ristani, Eduard Halimi, Florian Mima, Myqerem Tafaj, Spartak Braho, Vangjel Dule, etj; të cilët kanë deklaruar të dhëna në formularin e dekriminalizimit, jashtë afateve të parashikuara në ligj. Krahas deputetëve të mësipërm në listë janë dhe 8 kryetarë bashkish: Artur Bardhi, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Rajmonda Balilaj, Adel Lala, Zef Hila, si dhe dy kryebashkiakët Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj.
Për dy të fundit prokuroria ka kërkuar ndërprerjen e mandatit, pasi nuk kanë deklaruar dënime të marra më parë.
Sigal