Deklaratë terroriste e ministres Manastirliu

421
Sigal

Skandali/ Ministrja e Shëndetsisë deklaron se po u mbushën vendet e planifikuara në spital, pacientët do të përzgjedhim se kush do trajtohet i pari. Kjo deklaratë na kujton “modelin nazist të Aushvicit” dhe vjen dy ditë pas konferencës së antisemitizmit të organizuar nga Tirana zyrtare. Kryeministri të shkarkojë ministren, për të treguar se konferenca e antisemitizmit nuk ishte  hipokrizi. Flasin Basha, Vasili, Shehu, Allkja dhe Koduzi

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e ka përdorur fjalën e saj në Kuvend tërësisht për propagandë, duke thënë se gjendja e spitaleve në vendin tonë është më e mirë se në të gjitha vendet e tjera të rajonit. Sa i takon mbingarkesës në spitale, Manastirliu tha se në momentin kur nuk ka më vende të lira, do të ketë një përzgjedhje të pacientëve se kush do trajtohet më parë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu:  “Qeveria po përgatitet për të përballuar çdo skenar, ndaj masat që jemi duke ndërmarrë sa i përket parandalimit shkojnë në këtë drejtim për të siguruar që të mundemi të frenojnë pandeminë nëpërmjet respektimit të rregullave. Nëse do kemi mbingarkesë të spitaleve do të përballemi me vështirësi dhe do zgjedhim kush do trajtohet i pari.”

Kjo deklaratë e ministres Manastirliu është e ngjashme dhe na kujton  selektimin që  nazistët  bënin me hebrenjtë në kampet naziste, ku nga njëra anë zgjidheshin njerëzit që do t’i çonin në krematoriume, ndërsa të tjerë i çonin në punë të detyrueshme deri në vrasje. Ky qëndrim i ministres Manastirliu, vjen dy  ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë organizoi  Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit!  Mos ndoshta, tani, pas qëndrimit të ministres së ‘Rilindjes’, për të zgjedhur cilët pacientë do të kurohen dhe cilët pacientë do të lihen të vdesin, për shkak të mungesës së shërbimit mjekësor, të kujton as më shumë dhe as më pak veprimet kriminale të nazistëve, të cilët popujt e botës i mbytën me gjakun e Lirisë. Nga ana tjetër, Forumi Ballkanit kundër Antisemitizmit ku foli edhe Sekretari i DASH Mike Pompeu, me pjesmarrjen edhe të drejtuesëve më të lartë të Parlamentit dhe të qeverisë shqiptare, nëse nuk do të konsiderohet show  dhe fasadë, kërkon ndërhyrjen e Kryeministrit Rama për shkarkimin e ministres Manastirliu.

Basha kritika Ramës e Manastirliut: Ky është krim ndaj shqiptarëve!

Kreu i PD-së, Lulzim Basha,  komentoi dhe deklaratën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në seancën e pardjeshme plenare, ku iu bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat, pasi situata mund të shkojë deri aty sa të përzgjidhet kush do të trajtohet e kush jo. Teksa e cilësoi këtë deklaratë një krim ndaj shqiptarëve, Basha:  “Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe njerëzit përgjegjës për këtë situatë janë dyfish fajtorë. Nuk kanë marrë asnjë masë  për t’i paraprirë  situatës, ndonëse kanë qenë të paralajmëruar nga ekspertët, opozita.  Si rezultat i kësaj, numri i infektimeve është shtuar shumë më shumë, sesa nëse situata do të mbahej nën kontroll, e do të bëheshin mbi 2 mijë testime. Së dyti, ata janë faktorë për fshehjen e të vërtetës. Kjo është dita e zezë, për të cilën Rama duhet të kishte përdorur paratë. Testime mbi 2 mijë në ditë, rritja e kapaciteteve spitalore, rimbursimi i ilaçeve për të sëmurët me Covid, mund të ishin financuar dhe të çonin në uljen e numrit të të infektuarve dhe viktimave. Rama i ka paratë, por zgjedh t’i vjedhë. Tani vjen pjesa më kriminale. Parmbrëmë në Parlament ,ministrja tha se do të përzgjidhet kush do të trajtohet, e kush jo. Pse kemi ardhur në këtë pikë? Sepse paratë që duhet të shkonin për të trajtuar të sëmurët me Covid i kanë vjedhur. Kush ja jep të drejtën Ramës dhe kukullave të tij të vendosin se kush duhet të trajtohet e kush jo. A ka krim më të madh ndaj shqiptarëve? Të vendosësh kush do të jetojë, e kush do të vdesë.

 Petrit Vasili: Rama dado e lodhur e ministres!

Rama dado e lodhur e ministres! Edi nuk duron dot asnjë llaf për ministren e Shëndetësisë. Kur i kërkon informacion Presidenti ministres përgjigjet dhe del përpara, si  ‘fand spathi’ Rama dhe kthen përgjigje. Kur thotë Basha që deklarata e ministres, që do i seleksionojnë pacientët sipas dëshirës, është kriminale, fap del prapë  ‘fandi spathi’ Rama dhe kthen ai prapë përgjigje. Boll e talle ministren, se s’ta ka për borxh. Ramë,  lëre të kthejë ndonjë përgjigje ministrja, se për atë paguhet. Ti nuk duron dot as kur ta pyesin ministren, por dobësitë e tua nuk janë çështje e shqiptarëve, mbaji brenda zyrave të tua, a gjetkë. Edi, si dado e ministres je i përkushtuar, por e bën trashë!

Ilir Allkja, mjek: ‘Rilindja’  paguan qindra miliona euro PPP-të, por lë shqiptarët pa ilaçe

Deklarata e ministres së Shëndetësisë,  që  paralajmëronte se në rast rritjeje të shifrave të infektimeve, qeveria do të zgjidhte se cilët do t’ju ofronte trajtim është skandaloze. Së pari, bie ndesh me kartën internacionale të  të drejtave të njeriut , e drejta për të marrë shërbim shëndetësor. Marrja e shërbimit shëndetësor pa dallim moshe, gjinie, përkatësie,  garantohet ende nga Kushtetuta. Gjithashtu, dua t’ju kujtoj shqiptarëve se ‘rilindja’ para se të vinte në pushtet, u zotua se do t’ju ofronte kujdes shëndetësor me mbulim universal; shërbim shëndetësor falas, sipas nevojës për të gjithë shtetasit me banim të përhershëm në Shqipëri. Ne shqiptarët në çdo lloj situate që ndodhemi ngushēllohemi me shprehjen; “të kemi shëndetin” ose “shëndeti i pari”, si mund të jetojmë të qetë përballë të tilla provokimeve ?! Nuk janë fajtorë shqiptarët e sëmurë, apo që mund të sëmuren se kjo qeveri i ka bërë “rrush e kumbulla” paratë e tyre, duke financuar PPP e skema të tjera korruptive, ndërsa ka lënë mënjanë investimet në sektorin më të rëndësishëm, atë jetë shpëtues!

Eksperti i shëndetësisë në PD, Gazmend  Koduzi kundër ministres Manastirliu: Papërgjegjshmëri!

Dështimi i qeverisë me përballimin e COVID 19 po vret njerëz. Është papërgjegjshmëri e Ministres së Shëndetësisë deklarimi se ata do të zgjedhin kush do të jetojë dhe kush nuk do të jetojë. Po të jetë për zgjedhjen e Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut, shqiptarët e dinë se ata që jetojnë janë klientët e biznesit të qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm u hiqet oksigjeni. Problemi është se kjo qeveri nuk ka marrë asnjë masë kundër covid 19. Është një qeveri që duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe ligjore. Turp, turp, turp! Mos i besoni më asnjë fjalë!