Debatet në Kuvend / Bardhi-qeverisë: Angazhuat oligarkët për të siguruar vota për Dvoranin. Doni të ktheni Kushtetuesen në seksion të PS

128
Sigal

Në seancën plenare maratonë të fundvitit në Kuvend janë ndezur debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës ndërsa deputeti Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj Kryemisnitrit Rama se ai ka angazhuar oligarkët për të siguruar vota për emërimin e Ardian Dvoranit si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Opozita ka dënuar me forcë angazhimet për një veprim të tillë ndërsa i ka bërë thirrje deputetëve të mos e votojnë kandidaturën e Dvoranit me akuzën se ai ka probleme të theksuara me integritetin pasi ka falsifikuar dokumentet për të qenë ‘i përshtatshëm’. Dvorani akuzohet se ka marrë një aparatament dhuratë për një çështje gjyqësore prej 17 mijë euro, si dhe nuk ka deklaruar një vlerë monetare prej 80 mijë euro.

Bardhi: Ka një proces kushtetues të zgjedhjes së avokatit të popullit që kërkon 84 vota për emërimin e tij. Tradita ishte nisur nga PD dhe ju e ruajtët këtë traditë, edhe në këtë rast ka zotim publik nga ana juaj që do të votoni kandidatin e PD për postin e Avokatit të Popullit. Në procesin e konsultimit Grupi Parlamentar i PS përjashtoi 6 nga 11 kandidaturat e PD. Argumenti që ju përdorni se është avokat i PD, juristët  e avokatët nuk ndahen në të PD apo të PS. Nuk po ankohemi për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit, ajo që po ankohemi është tentativa juaj për të shndërruar në seksion të Partisë Socialiste Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Teatri që bëri KM duke u përpjekur për ta trajtuar këtë si një fantazi të kokës tonë edhe pse kam bindje se ti e di, por drejtuesit më të lartë të Grupit Parlamentar të PS jo vetëm kanë kërkuar votë për Dvoranin, por kanë angazhuar mafiozë dhe oligarkë si Samir Mane apo Salillari, shokët e t’u për të gjetur vota për Dvoranin. Nuk të pëlqen? Ja ky është shembulli.

Kryeministri: Thuaj ‘ky person këtu është intimiduar nga filani” jo merrni emra nëpër gojë kot. Lëri shokët e mi.

Bardhi: Oligarkët e tu, mafiozët e tu!

Rama: Cilët janë mafiozë ore cilët janë mafiozët?

Bardhi: Ah i le oligarkët tani, u përqëndrove te mafiozët. Oligarkët janë normale, mafiozët janë problem. Jep llogari pse ke angazhuar oligarkët në zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Rama: Të çohet njëri e të thotë “mua më ka intimiduar filani”.

Bardhi: Ti i ke çuar oligarkët për të shndërruar Gjykatën Kushtetuese në seksion të Partisë Socialiste.

Rama: Palaço. Ik andej. Ik ore zagar…

Felaj: Zonja Vokshi mos ndërhyni.

Bardhi: Mafioz je, o mafioz. Mafioz je.

Rama: Palaço. Jeni dhe… Po ti ça ke? Më duhet t’ja shpjegoj fëmijëve të mi kuptimin. Ai është palaço, prandaj them. Palaço. Ik ore.

Nga debati drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj përjashtoi nga salla deputetin Gazment Bardhi.

 

 

 

Kush është fytyra e vërtetë e Ardian Dvoranit?!

Ardian Dvorani është një prej prokurorëve të fundit të kohës së komunizmit, i cili jo vetëm po vijon funksionet në sistemin e drejtësisë, por edhe po ri-katapultohet në majën e piramidës së Gjyqësorit. Ai u emërua prokuror në Shkodër në vitin 1988 dhe, dy vjet më pas, ka lënë një prej gjurmëve më të errëta të drejtësisë në kapërcyell të dy sistemeve. Në 17 shkurt të vitin 2005, Dvorani, i cili ishte shkëputur nga sistemi i drejtësisë pasi dënoi për agjitacion një grup shkodranësh në vitin 1990, rikthehet më i fuqishëm, në çatinë e drejtësisë shqiptare. Mandati i Ardian Dvoranit ishte 9 vjet, deri në vitin 2014. Por ai, si askush tjetër më parë, qëndroi në detyrë edhe 5 vjet të tjera përtej mandatit, deri në vitin 2020. Ardian Dvorani, me mandat të tejkaluar në kohë, ishte i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë që kaloi me sukses procesin e Vetingut, megjithëse “kishte harruar të deklaronte 100 mijë dollarë amerikanë”. Trupa e Vetingut gjithashtu nuk e konsideroi penalizuese dhe as në konflikt interesi faktin që Dvorani kishte marrë pjesë në disa dyzina çështjes, ku palë ishte kompania publike e telefonisë, “Albtelekom”, e cila i kishte dhënë më herët një hua me interesa minimale gjyqtarit për blerje pasurish të paluajtshme. Ardian Dvorani nuk duhej shkarkuar, pasi partia në pushtet kishte plane të mëdha për të. Si gjyqtari i vetëm i lartë, ai u përzgjodh edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), një strukturë e Reformës në Drejtësi që është përzgjedhëse për kualifikimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtuese. Në cilësinë e kreut të KED-së, Dvorani e vendosi veten në një kurs përplasjeje me Presidentin Ilir Meta, duke tentuar me manovra tërësisht anti-ligjore që t’i hiqte kreut të Shtetit të drejtën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Tentativat e Dvoranit, të mbështetura fuqishëm nga maxhoranca socialiste, u rrëzuan plotësisht nga Komisioni i Venecias. Presidenti Meta dorëzoi kallëzim penal ndaj Dvoranit në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion, e cila, për ironi, në atë kohë drejtohej nga një tjetër ish-hetues i kohës së komunizmit, Arben Kraja. Natyrisht, hetimi ndaj Dvoranit u pushua. Këtë fakt e mësoi shumë herët Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila i sugjeroi Departamentit të Shtetit që të shpallte Ardian Dvoranin një prej “kalorësve anti-korrupsion” të vitit 2020, megjithëse nuk rezulton asnjë rekord konkret që ai të ketë dhënë kontribut të vyer në këtë drejtim. Në vitin 2020, vaji i kandilit të Dvoranit po mbaronte dalëngadalë, kështu që ai dhe qeveria që e mbështet fuqishëm, kaluan në planin rezervë-fillimisht Ardian Dvorani u tërhoq butësisht, duke u emëruar gjyqtar në Apelin Administrativ, në pritje për t’u pjekur disa kushte të favorshme. Tanimë, ai rikthehet si një prej kandidaturave kryesore për anëtar dhe, pse jo, edhe për kryetar të Gjykatës Kushtetuese. Komunisti i 40 viteve më parë, që dënoi shkodranët përse kërkonin lirinë e fjalës, sot kërkon kolltuk në Gjykatën Kushtetuese, e cila është garante e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.