Takimi Rama-Mitsotakis/ Pas mbërrtjes në Greqi kryeministri helen deklaron se Shqipëria dhe Greqia janë afër përcaktimit të zonave detare

252
Sigal

Edi Rama duket se ka vendosur ta shesë detin e Shqipërisë. Këtë e ka treguar një status i kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili ka reaguar pas vizitës që zhvilloi në jugun e Shqipërisë. Pas largimit në Greqi, ka reaguar me anë të një statusi në rrjetet sociale. Ai shkruan se Greqia dhe Shqipëria janë shumë pranë zgjidhjes së përcaktimit të zonave detare. ‘Mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve zgjidhen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kështu do t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona për këtë çështje’, shkruan kryeministri grek. Mitsotakis nuk e ka përmendur aspak dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën e Hagës, ashtu siç një ditë më parë thanë ministrat e jashtëm të dy vendeve, Dendias dhe Xhaçka. Kryeministri Edi Rama deklaroi para kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis se busti i babait të tij, Konstantinos Mitsotakis, do të vendoset në shesh të Derviçanit, i cili do të mbajë dhe emrin e tij. “Bashkë me kryetarin e bashkisë kemi përgatitur projektin e rilindjes urbane të gjithë sheshit kryesor që do të mbajë emrin e babait të kryeministrit dhe në nderim të tij do të vendoset edhe busti i kryeministrit”- tha Rama nga Derviçani. Rama shtoi më pas në formë batute se edhe i biri mund të ketë bust, por duhet merituar:“Për të merituar një bust në të ardhmen Qirjako duhet të vish 5 herë. Por për ta bërë, duhet të fitojë zgjedhjet, sepse si mik mund të vijë sa herë të dojë, por mik nuk ka”. Kryeministri ftoi në inaugurimin e bustit në përvjetorin e vdekjes së Konstantinos Mitsotakis dhe tha se e shihte veten në qeveri edhe për një mandat të katërt. “Qirjako jep fjalën që do të jesh këtu për të inauguruar bustin, bashkë me mua se unë do jem prapë kryeministër”- tha Rama. Gjatë fjalës së tij në Derviçan, Mitsotakis tha se ishtë një ditë emocionuese për të. Kryeministri grek kujtoi vizitën e babait të tij, Konstantinos Mitsotakis, në po të njëjtin vend në Derviçan, 30 vite më parë. Ai përsëriti fjalët e babait të tij, se minoritetet greke në Shqipëri janë urë miqësie mes dy vendeve, teksa theksoi sërish mbështetjen e Greqisë për minoritetet greke në jug. ‘ Ju falënderoj nga zemra për mikpritjen. U mërzita ku u anulua vizita ime këtu në fillim të dhjetorit. Por premtova që do vija t’ju takoja para mbylljes së vitit. Moment emocionues për mua. Nuk mund të harroj faktin se para 30 vitesh këtu erdhi babi im, pak para se të shembej regjimi komunist në Shqipëri. Aso kohe babi im tha: minoriteti grek urë miqësie midis dy vendeve. E njëjta gjë vlen edhe tani. Me Ramën kemi bashkëpunim të ngushtë. Ne mund të zgjidhim çështjet bashkë në çdo fushë’, -tha kryeministri grek. Kreu i qeverisë greke është pritur me entuziazëm nga banorët me veshje tradicionale të Epirit të Veriut, muzikë tradicionale dhe flamuj grekë.