Debate për ligjin e policisë, Doshi: Emërime politike, ikën tropojanët, erdhën tepelenasit

464
Sigal

Tiranë – Komisioni i Ligjeve është mbledhur sërish pasditen e sotme për të diskutuar ligjin “Për Policinë e Shtetit”, por me debate të ashpra ndërmjet deputetëve të majtë, pasi të djathtët e kanë bojkotuar komisionin. Lidhur me gradat dhe emërimet , kreu i komisionit, Fatmir Xhafaj ka kërkuar të ndryshohen kriteret, pasi duhen kritere të forta për emërimet në polici. Deputeti Tom Doshi ka deklaruar se të gjitha emërimet në Policinë e Shtetit janë emërime politike, të gjithë drejtorët janë nga Tepelena. Siç është bërë në kohën e Berishës me tropojanët, po bëhet tani me tepelenasit. . Diskutimet janë ndalur në strukturën e policisë dhe tek gradat e efektivëve. Sipas deputetit Pirro Lutaj nuk duhet të bëhen diferencime të efektivëve të policisë për shkak të strukturës që i përkasin. “Kush del nga shkolla e policisë, del me gradën inspektor”, tha Lutaj. Ndërsa deputeti Majko u ndal tek efektivet e policisë, duke u shprehur se duhet të respektohen gratë që janë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit. “I futët gratë në polici, tani respektojni. S’mund të dalin femrat me barkun te goja të ruajnë demonstratën”, tha Majko. Deputeti Qefalia propozoi që punonjësit e policisë të mbajnë armë vetëm gjatë orarit të punës. “Punonjësit e policisë të mbajnë armë vetëm gjatë orarit te punës. S’kanë pse të mbajnë armë gjatë gjithë kohës. Parandalojmë ngjarje të renda.”, tha Qefalia.