“Dashuri” me emaile PS-PD, opozita pranon takimin në Këshillin Politik

267
Sigal

Opozita i ka kthyer menjëherë përgjigje socialistit Gjiknuri për ftesën për takimin e radhës në Këshillin Politik. Dy negociatorët Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë kthyer përgjigje pozitive për t’u takuar dhe duke pranuar shqyrtimin e paketës kushtetuese.

“Në këto kushte, Opozita e Bashkuar ripërsërim qëndrimin se në përputhje me marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe dakordësinë e 5 Qershorit, palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe të kërkojnë mendimin dhe asistencën nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët”, thuhet në emailin e opozitarëve.

Emali i plotë

Mirëpresim vazhdimin e punës me mbledhjen e Këshillit Politik nesër në orën 11:00.

Mbledhja e shkuar u mbyll me një përgjigje refuzuese nga ana e përfaqësuesit të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi propozimin për konsensus të Opozitës së Bashkuar, për hapjen 100 % të listave, me kushtin që të mos preken rregullat aktuale për koalicionet parazgjedhore dhe ndarjen e mandateve.

Në përputhje me Marrëveshjen politike të 14 Janarit, kjo çështje duhet të trajtohet me gjithëpërfshirje dhe transparencë në Këshillin Politik, cka deri më sot nuk ka ndodhur. Kjo sepse Partia Socialiste ka ecur me logjikën e “faktit të kryer” dhe me paraqitjen e njëanshme të ndryshimeve kushtetutese, të cilat bien ndesh me marrëveshjen e 14 Janarit, minojnë dakordësinë e 5 Qershorit, janë në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias dhe zhbëjnë ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Marrëveshja politike e 14 Janarit detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”.

Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron kërkesës së parashtruar në mbledhjen e kaluar që në trajtimin e kësaj çështje të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR. Për këtë arsye, ju njoftojmë se për Opozitën e Bashkuar trajtimi i kësaj çështje dhe heqja dorë nga aktet e njëanshme, që shkelin marrëveshjen e 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit, dhe minojnë dakordësinë e arritur, duhet të mbetet çështja e parë për diskutim dhe vendimmarrje nga Këshilli Politik.

Siç ju informuam në mbledhjen e shkuar të Këshillit Politik, është e papranueshme loja me gjoja pyetje të drejtuar nga pala juaj, lidhur me propozimin tuaj të njëanshëm kushtetutes, drejtuar ekspertëve të Qeverisë, të cilët siç është botërisht e njohur, janë edhe draftuesit dhe mbështetësit e ndryshimeve tuaja të njëanshme.

Në këto kushte, Opozita e Bashkuar ripërsërim qëndrimin se në përputhje me marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe dakordësinë e 5 Qershorit, palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe të kërkojnë mendimin dhe asistencën nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.

Përsa më lart, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme,

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili