Dashamir Shehi: “E djathta duhet të reformohet”

584
Sigal

Unë jam për atë që e Djathta  të rikthehet edhe njëherë te të bërit politikë qytetare, politikë urbane.

PD-ja ndodhet në udhëkryqin më të madh politik, që nga kohëformimi i saj. Në këto momente do të përcaktohet edhe fati i saj. Do të mundet të ringrihet, apo do të humbasë në pluhurin e disfatës. Dashamir Shehi në intervistën për “Telegraf” shpjegon se, PD-ja humbi nga fshatarizmi i saj, prandaj reforma më e thellë që i duhet është të të bërit politikë qytetare, urbane. Zoti Shehi, shpjegimin e rritjes elektorale të LSI-së, PR-së dhe PDIU-së, e lidh me atë që shqiptarët nuk votojnë me moral, por disave u pëlqen hajdutllëku.

-Zoti Shehi, sipas jush, përse e Djathta pësoi këtë disfatë në 23 Qershor?

– Ka shumë arsye. Një qeveri e stërzgjatur, lodhje e kësaj qeverisjeje, administratë e politizuar dhe e pazonja që të zbatojë detyrat dhe ligjin, administratë krahinore, shpeshherë edhe e korruptuar, të gjitha këto prodhojnë një rezultat negativ dhe , sipas mentalitetit që ka Shqipëria, pastaj vjen si dallgë dhe përtej arsyes së nevojshme të ndërrimit të pushtetit.

– Si e gjykoni që LSI, PR dhe PDIU, megjithëse, ishin në bashkëqeverisje, patën rritje në zgjedhje?

– Në mënyrë specifike shqiptare, këto 3 parti, të cilat  për efekt korrupsioni të dukshëm, duhet të ishin dënuar njësoj, si PD-ja si përgjegjëse të konsumit qeverisës. Por, kjo rritje e këtyre 3 partive shpjegohet që një pjesë e shqiptarëve nuk e kanë për turp hajdutllëkun. Ky është e nuk ka shpjegim tjetër. Partitë i premtojnë punësim në shtet dhe një pjesë e elektoratit e ka qejf këtë punë. Një pjesë e shqiptarëve janë thjesht interesaxhinj. Këtu nuk votojnë për të majtën e të djathtën, por votojnë për idenë, se do të gjejnë një punë shteti. Vota e 23 Qershorit nuk ishte ndonjë votë morale.

– Para pak zgjedhjeve, PD-ja ishte shumë afër përqindjeve me PS-së, sipas sondazheve. Çfarë shkoi shumë keq, në fushatën zgjedhore, nga PD-ja dhe Kryetari i Koalicionit të Djathtë, Berisha?

– Sondazhet në Shqipëri, në përgjithësi kanë dështuar, sepse shqiptarët nuk janë të sinqertë. Gënjejnë. Shpeshherë nga frika e pushtetit, shpeshherë nga interesat, e kjo shpjegohet sepse kjo shoqëri nuk është rritur në liri.

Shikoni te krerët e PD-së ndonjë dëshirë që të analizojnë shkaqet e humbjes, apo janë mjaftuar në marrjen përsipër të të gjitha fajeve nga Berisha?

– Unë shikoj që ndonjë analizë konkrete nuk është bërë. Unë pres që kjo analizë të bëhet në kohën e vet. Nga vjeshta, kur të ketë filluar punën edhe Kuvendi i ri. Nuk mund të gjykohet sot për nesër. Analiza duhet bërë e thellë, të gjejnë shkaqet dhe shkaktarët. Ndryshe, nuk do të kemi rehabilitim të politikës, alternativa brenda së Djathtës.

– A mund të bëhet sërish PD-ja protagoniste, nëse mjaftohet vetëm në një zëvendësim të liderit?

– Unë gjykoj që çështja e Kryetarit të PD-së është hapi i parë, i nevojshëm, sepse partia ka nevojë për një lidership dhe për një udhëheqje që të përfaqësojë të gjithë. Është i domosdoshëm, sepse vonesa mund të shkaktojë plasaritje, përçarje politike. Gjendja është dramë, por nuk duhet dramatizuar më tej. Pastaj, që të bëhet e djathta konkurruese, që pas 4 vjetëve të hyjë me shanse të barabarta për të marrë pushtetin, sigurisht për këtë nuk mjafton vetëm kryetari.

– Çfarë tjetër duhet?

– Duhet një proces i gjatë rinovues, modernizues dhe emancipues i së Djathtës, dalja nga skemat e vogla të krahinave dhe të individëve.  Unë jam për atë që e Djathta  të rikthehet edhe njëherë te të bërit politikë qytetare, politikë urbane, qytetare. Siç bëmë në vitet ‘90, kur e majta ishte vjetërsirë e kohës. Një nga humbjet e PD-së ka qenë fshatarizimi i madh, masiv.

– Mos vallë, pas 22 vjetësh, vetë PD-ja ka nevojë për veten e saj,  që të thërrasë “ Liri-Demokraci”?

–  Unë nuk e gjykoj se e ka këtë nevojë. Hapi i parë është ndërrimi i Kryetarit, marrja e përgjegjësive nga ata që kanë përgjegjësi. Hapi i dytë, debati në grupin parlamentar, mënyra e të bërit opozitë, në funksion të grupit, por në emër të të gjithë shqiptarëve. Për të rinovuan të Djathtën, duhet një projekt i madh politik.

Mos vallë, tani, më shumë se kurrë, ata nismëtarë të PD-së, që janë larguar për shkak të mungesës së demokracisë brenda PD-së, të rikthehen e  të kontribuojnë në ringritjen e saj?

Këtyre ideve të nismëtarëve, tani, unë gjykoj, që u ka kaluar koha. Partitë duhet të jenë trupa të gjallë politikë. Unë gjykoj që shumica e atyre që ishin fillestarë të PD-së janë në PD, janë në funksione drejtuese. Edhe po të mos jenë, nuk do të jetë ndonjë difekt i madh. Difekti i PD-së është që sot nuk përfaqësoj dot dy elementë themelbërës të politikës. Rininë dhe qytetarinë.Kush është i zoti të luajë një rol në politikë, e ka luajtur. Brenda, apo jashtë PD-së, pak rëndësi ka. Tezat e antikomunizmit nuk vlejnë më, sepse ato janë konsumuar si ide. Kemi një botë të re, e cila duhet parë me sy të rinj, duhet luftuar me mjete të reja. Zhvillimi kërkon forcë e energji të reja, përtej kujtesës të disa personazheve.

– Cili mund të jetë roli i opozitës, meqë tani edhe votën e cilësuar e ka maxhoranca?

– Opozitës nuk i bie asnjëherë roli. Varet se kush do ta bëjë opozitën. Nëse opozitën do ta bëjnë disa interesaxhinj, siç ka ndodhur dekadën e fundit, sigurisht, nuk do të kemi opozitë. Në qoftë se, opozitën do ta bëjnë përtej interesave vetjake dhe të mendojnë që shtetit, Kuvendit, Shqipërisë i duhet një opozitë e vërtetë, e fortë, e qëndrueshme, e moralshme, që të vëzhgojë këtë maxhorancë, e cila është tepër e madhe, të jeni të sigurt, që do bëjmë opozitë shumë serioze, me ide konstruktive. Nuk është puna thjesht, sesa vota ke për të penguar maxhorancën. Plus, që unë besoj se politika do të prodhojë disidentë edhe brenda kësaj maxhorance të fuqishme.

Në këto raporte maxhorancë- opozitë, kompromisi politik, do të jetë më i vështirë dhe maxhoranca do jetë më shpërfillëse ndaj opozitës?

– Fatkeqësisht, me kompromise politike, te ne janë mbyllë disa pazare relativisht, të pista, sikurse ligji zgjedhor, Kushtetuta e disa të tjera. Këto kanë qenë pjesa më e errët e politikës shqiptare. Duhen të bëhen kompromise të pastërta, për tezat e përbashkëta të shtetit shqiptar, të ekonomisë.

– Kjo maxhorancë, i ka duart më të zgjidhura për të zbatuar reformat e zhvillimit e të integrimit, pa u justifikuar më se e pengon opozita?

– Kjo maxhorancë i ka të gjitha numrat, mjetet për të bërë çfarëdo ndryshime kushtetuese, reformat e të gjitha llojeve. Kështu, që nuk ka më justifikim. Në qoftë se duan të bëjnë një shtet më modern, më bashkëkohor, është momenti. Në qoftë se nuk do ta bëjnë, do tregojnë që nuk kanë patur kurrë ndonjë projekt politik, për të bërë një Shqipëri më të mirë. Projekti i vetëm, ka qenë, që ato karrige që lëshuan paraardhësit, t’i zënë këta.

PD-ja duhet të çlirohet nga vendimmarrja e Berishës

 – Është në rrugën e mbarësisë, procedura që ndiqet për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së?

Unë e quaj pozitive, faktin, që pas kaq vjetësh, diskutohet për kryetarin e PD-së. Kështu, nuk është diskutuar asnjëherë. Mënyra sesi bëhet, sigurisht mund të ketë ndonjë të keqe të vetën, për shembull, përshpejtimi shumë i madh i zgjedhjes, por sidoqoftë, edhe këtu, unë shikoj disa elementë rinovues dhe demokratikë, të cilat deri dje, nuk mund të mendoheshin në PD. P.sh, zgjedhja, një anëtar, një votë dhe për herë të parë, pas 22 vjetësh, kemi një garë reale, që janë investuar në PD, të një gjenerate të përbashkët, modern, figura qytetare. Vetëm kështu mund të shkojmë drejt një procesi demokratizues brenda PD-së.

– A nuk do të ishte në të mirën e vet PD-së, që partia të çlirohet nga hija e pushtetit dhe e drejtimit të Berishës?

Ndikimin personal të Berishës do ta gjykojë koha dhe historia. Koha është për t’u tërhequr dhe është në të mirë të PD-së që ndikimi i Berishës të mbetet, por vendimmarrja të kalojë në duart e atyre që do të jenë drejtuesit e rinj. Ndryshe, pastaj, do të qëndrojmë në vend.

 – Faleminderit!