Basha dhe Olldashi 2 kandidatët finalë

524
Sigal

Berisha: Kryetari i ri i PD-së votohet me 22 korrik, duke shpallur edhe kandidatët zyrtarë

Më datë 22 korrik anëtarësia e PD-së do të votojë për të zgjedhur kreun e ri të PD-së, në një garë mes Kryebashkiakut Lulzim Basha dhe ministrit aktual të Transportit Sokol Olldashi. Kjo u bë e ditur dje pas mbledhjes rreth 2 -orëshe së Kryesisë së PD-së nga vetë kryetari i dorëhequr i PD-së, z Sali Berisha. Ai tha se vërtet u paraqitën 4, por 2 janë kandidaturat finale. “Lulzim Basha dhe Sokoll Olldashi. Kryesia i paraqet para anëtarësisë këto si kandidatura zyrtare të PD-së”. Berisha theksoi se parashikon një proces dinjitoz për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së. “Detyra e anëtarësisë së PD-së është të japë procesin më dinjitoz që ka dhënë ndonjëherë PD-ja. Besoj se të dy kandidatët janë të përgatitur me qetësi të presin verdiktin e anëtarësisë së partisë. Pas kësaj fituesi do ketë të drejtë të ndërtojë lidershipin e ri të PD, natyrisht të propozojë ekipin që do të çojë PD në fitore. Por kryetari i ri do ketë një zë të fuqishëm në këtë çështje”. Kryetari i ri i PD-së do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë, proces që shndërrohet për herë të parë si një sfidë për të shfaqur demokracinë e brendshme të kësaj partie.

Mbledhja

Kryesia e PD-së shqyrtoi kandidaturat për kreun e ri të partisë, pas dorëheqjes nga detyrat partiake të liderit Berisha. Mbledhja u çel nga fjala e kryetarit të dorëhequr, z. Sali Berisha.

“Kam kënaqësi t’ju them se kandidaturat që plotësojnë kriteret janë katër.

1-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, anëtari i kryesisë së PD, z.Lulzim Basha. Nuk besoj se ka nevojë të ndalem në renditje e cv se anëtarësia duhet ta botoni nesër në gazetën e partisë.

2-Sokol Olldashi, ministri i punëve publike

Po që plotësojnë kushtet janë dhe 2 të tjerë.

3-Astrit Sinanaj, që është anëtar i PD-së, dega Fier,

4-kandidatura e katërt që ka paraqitur dokumentet është Sokol Prekpaja, dega Tiranë e PD-së”, bëri të ditur Sali Berisha në mbledhje të kryesisë së PD-së. Sali Berisha njoftoi se ai që do të zgjidhet nga anëtarësia e PD-së, atij do t’i jepet drita jeshile të propozojë forumet, ekipin që ai mendon se i çon me shpejt në pushtet.

Në hyrje të fjalës së tij kryetari i dorëhequr i PD këshilloi anëtarësinë demokrate që tashmë duhet të veprojnë dhe mendojnë si një opozitë e fuqishme që tenton të vijë në pushtet.

Basha dhe Olldashi: Gara do jetë dinjitoze, do pranohet rezultati

Kandidatët për kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi pas mbledhjes së kryesisë në një prononcim për gazetarët premtuan një garë dinjitoze teksa nënvizuan se do pranojnë rezultatin.

“Jam i bindur që do të zhvillojmë një garë dinjitoze, shumë pozitive dhe e cila do ti japë strukturave të Partisë Demokratike mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë me një vendim me votën e vetë të datës 22 korrik”, u shpreh Olldashi.

“Kryesia ka marrë vendimin sot për zyrtarizmin e kandidaturave. Natyrisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga ky proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar”, theksoi Basha.

Kandidatët që u ofruan

Që kur Berisha pranoi humbjen e zgjedhjeve dhe shpalli largimin e vet nga drejtimi i PD-së, gjatë kësaj jave vetëm dy politikanë të rëndësishëm të saj kanë dorëzuar kërkesat për kandidim. I pari u paraqit ministri aktual i punëve publike, Sokol Olldashi dhe më pas kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Në media janë dëgjuar edhe emra të tjerë më pak të rëndësishëm. Olldashi e Basha u paraqitën njëlloj në zyrat qendrore të partisë së tyre, dorëzuan projektet e tyre dhe kërkesën për kandidim, dhe mbajtën nga një deklaratë për shtyp, ku theksuan njëlloj nevojën për një fillim të ri në PD, që ajo të kthehet me dinjitet në pushtet, krenare për qeverisjen e deritanishme dhe ndihmesën e shquar që ka dhënë kryetari i saj Sali Berisha.

Ministri Olldashi, 4 herë deputet, tha se synon të rindërtojë themelet morale, mbi të cilat PD do të duhet të rikthehet në pushtet.

Ndërsa Kryebashkiaku Basha nuk është deputet në sallën e parlamentit dhe nëse fiton, do ta drejtojë grupin parlamentar nga bashkia, ashtu si bëri për shumë vite edhe kryetari i PS-së dhe Kryebashkiaku Rama.

 Kandidati për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha prononcim për gazetarët:

 Kryesia ka marrë vendimin sot për zyrtarizmin e kandidaturave. Natyrisht, dua të shpreh mirënjohjen time për këtë vendim si edhe bindjen time që nga ky proces do të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar.

Do ta pranoni rezultatin?

Basha: Sigurisht që po.

 

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Sokol Olldashi prononcim për gazetarët:

 Jam i bindur që do të zhvillojmë një garë dinjitoze, shumë pozitive dhe e cila do ti japë strukturave të Partisë Demokratike mundësinë që të gjykojë dhe të arrijë me një vendim me votën e vetë të datës 22 korrik.

Do ta pranoni rezultatin?

Olldashi: Sigurisht. Pyetje që as që duhet bërë.