Damian Gjiknuri: Të rinjtë janë aset i shoqërisë sonë, të bëhen pjesë e partisë fituese e të marrin në dorë fatet e vendit, braktisja nuk është zgjidhje

108
Sigal

Sekretari i përgjithshëm i Partisë socialiste Damian Gjiknuri është ndalur në një takim me të rinjtë në Librazhd ku kanë zhvilluar një bisedë pyetje- përgjigje. Gjiknuri ka shfrytëzuar këtë moment për t’i bërë thirrje të rinjve të bëhen pjesë e Partisë Socialiste dhe të punojnë për të marrë në dorë fatet e vendit dhe të mos zgjedhin braktisjen e Librazhdit dhe Shqipërisë.

“Unë do të kujdesem vetë që Librazhdi të ofrojë më shumë mundësi për nxënësit, pas rikonstruksionit në shkollë dhe në ambientet sportive do të ketë edhe një investim edhe për laborator. Këtu në parkun e Qershive i është kthyer qytetit një ambient rekreativ që të gjithëve na bën të ndihemi krenarë. Shumë nga të rinjtë e di se ikin në Tiranë dhe nuk duan të kthehen më pas, por bukuria është këtu dhe me përmirësimet që bëhen çdo vit e bën më të bukur e më të këndshëm për t’u jetuar. Ndaj dhe ju të rinjtë bëhuni qershitë e qytetit dhe mos e braktisni këtë vend. Me kalimin e korridorit 8 Librazhdi do të jetë më i lehtë për t’u aksesuar. Ndërsa sa i përket rinisë, ne si politikanë kemi nevojë që sa më shumë të rinj të jenë pjesë e partisë, edhe për të na ndryshuar ne nga brenda. Të rinjtë janë ata që do të duhet të marrin fatet e vendit në dorë dhe kush më mirë se ju, sepse ju jeni e ardhmja e vendit.  Nuk do të rrimë ne gjithë jetën në pushtet, ju duhet të jeni ata që duhet të populloni Partinë Socialiste dhe pse jo të na lejoni të mbështesim idetë tuaja” deklaroi ndër të tjera Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri.