Damian Gjiknuri Prezanton Drejtuesit e rinj politik në Vlorë e Shkodër: Ekipi po bën lëvizjet e lojtarëve për një rezultat më të mirë

134

E rëndësishme është që PS të paraqesë alternativën e saj që ne besojmë është më e mira, por në fund e gjykojnë qytetarët

Sigal

Sekretari I Përgjisthëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri është ndalur në Vlorë dhe në Shkodër ku në takime me strukturat e PS në këto dy qytete ka prezantuar edhe drejtuesit e rinj politik të qarqeve. Në pronocimin për mediat nga Vlora Gjiknuri ka deklaruar: “kam ardhur të prezantoj, shokun tim, mikun tim, kolegun tonë Blendi Klosi. Shoku Klosi është caktuar si drejtues politik i qarkut të Vlorës. Është njeri me shumë eksperiencë politike dhe besoj do të vazhdojë punët e mira të nisura përmes menaxhimit dhe politikës në këtë qark. “ I pyetur se çfarë nuk bëri mirë Arben Ahmetaj si ish drejtues i qarkut, Gjikuri u përgjigj “Për këtë pyetje është përgjigjur disa herë edhe kryeministri,  këto janë lëvizje normale që bëhen me lojtarët në skuadër në mënyrë që ekipi të japë më të mirën”. Në fjalën e tij gjatë prononcimit për mediat Klosi deklaroi “Është një nder të zhvillosh jetën politike në Vlorë, të jesh drejtues.” I pyetur për marrëdhënien me bashkinë Klos u shpreh: Ne jemi të bashkuar për të zgjidhur të gjitha hallet e popullit, sa i përket kryebashkiakëve do të bëjmë një rivlerësim, dhe këtë rivlerësim nuk do e bëjë partia, por puna e gjithësecilit, pra ajo që i kanë dhënë qytetit.” Ndërsa nga Shkodra Sekretari i Përgjithshëm i PS, Gjiknuri në fjalën e tij për mediat ka deklaruar se nuk është tragjedi nëse Shkodra nuk fitohet nga PS. Deklaratën e bëri pas mbledhjes në PS-në e Shkodrës ku Elisa Spiropali u prezantua si drejtuese politike duke zëvendësuar Edona Bilalin. I pyetur nga gazetarët se çfarë nuk shkon me socialistët e Shkodrës, Gjiknuri u shpreh se si forcë politike përpiqen që të bëjnë më të mirën, në mënyrë që Shkodra të drejtohet nga një socialist, por theksoi se në fund e vendosin qytetarët dhe nuk është “tragjedi që të mos fitohet Shkodra”. “Jeta na mëson që njeriu duhet të vazhdojë të përpiqet të bëjë më të mirën, derisa qytetarët e Shkodrës ta kuptojnë që do të ishte më mirë për ta që të drejtohej nga një kryebashkiak socialist. E rëndësishme është që PS të paraqesë alternativën e saj që ne besojmë është më e mira, por në fund e gjykojnë qytetarët. Nuk është tragjedi që nuk u fitua Shkodra.” Spiropali e konsideroi kënaqësi dhe përgjegjësi pozicionin politik në Shkodër, ndërsa deklaroi se Qeveria nuk ka diskriminuar Shkodrën për votën ndryshe, por nuk ka gjetur bashkëpunim nga kryetarët e bashkive, duke sjell një paralelizëm me bashkinë Tropojë.