Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri në një takim me banorët e zonës së Prrenjasit ka bërë thirrje që qytetarët të shohin me vëmendje të gjitha investimet që ka bërë Bashkia në këto vite pasi kanë ardhur si rezultat i punës së përbashkët dhe vëmendjes së Qeverisë për këtë zonë. “Politikanët ndonjëherë bëjnë një gabim që komunikojnë me njerëzit në mënyrë masive vetëm para zgjedhjeve. Prandaj ne kemi vendosur që të bëjmë edhe këtë takim përveç gjithë të tjerëve të kryer, pa qenë në ethet e fushatës. Sepse ndonjëherë në zhurmën e lajmeve apo edhe të halleve të përditshme harrohen edhe ato që janë bërë. Këtë takim po e bëjmë për gjërat që janë arritur deri tani. Një gjë më bëri përshtypje dhe do e them pasi është diçka që nuk e them kudo Në bashkinë Prrenjas shumë nga investimet janë bërë edhe me vetë të ardhurat dhe me buxhetin e Bashkisë. Kjo është shumë gjë e mirë pasi kryesisht për projektet infrastrukturore është qeveria që del garant. Por në fakt këtu ka ndodhur një gjë e mirë pasi buxheti nuk është përdorur për paga dhe për të fryrë administratën që marrin rrogën duke mos bërë asgjë, por për investime reale për banorët. Ndërhyrjet në infrastrukturën e Bashkisë, në kanalet vaditëse, ndëryrje në pastrim, ndëryrje në bërjen e disa rrugëve të reja.Ka disa gjëra që merren si të mirëqena, por në fakt është puna e kryetarit të Bashkisë dhe ndihmës së Qeverisë. Mos e shkëpusni fatin e Qeverisjes së Bashkisë tuaj nga Qeverisja në Shqipëri, mos e bëni këtë gabim. Por nuk ka sukses një bashki nëse nuk ka vëmendjen nga qeveria. Kushdo që të vijë si kandidat dhe të hapë thesin e premtimeve duhet të keni parasysh se sa ka bërë qeveria për to kur të tjerët ishin në pushtet. Në Prrenjas do të ketë avantazhe të mëdha edhe nga shtrirja e Korridorit 8 që kalon këtu.” Ndër të tjera Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasani, Damian Gjiknuri deklaroi se Prrenjasi është një rast për tu marrë shembull në kuadër të humanitetit të treguar ndaj banorëve të zonës me anë të ndërtimit të qendrave sociale për ti ardhur në ndihmë banorëve që e kanë të vështirë ose të pamundur për të siguruar jetesën.




















