Damian Gjiknuri: “ Nëse PD-ja kërkon, le ta bëjmë transparencën në Kuvend”

424
Sigal

Damian Gjiknuri, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, reagoi dje ndaj deklaratës të Berishës, se “Rama nuk mund ta gëzojë dot pushtetin e votave të vjedhura”.

“Të numërohet çdo votë. Është në interesin më të mirë të Kryeministrit të ardhshëm, është në interesin më të mirë të çdo qytetari që të bëjnë këtë transparencë përndryshe, PD-ja nuk do të njohë kurrë pushtet të dalë nga vota e vjedhur”. Damian Gjiknuri, Sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS, e shikon si një qëndrim të ndryshëm të Kryeministrit në ikje, pasi ai u deklaroi shqiptarëve që e njihte rezultatin.   Deklaratën e Berishës, përfshi hapat e hedhur nga KQZ-ja, Gjiknuri i përkufizon si veprime të urdhëruara nga Berisha dhe kasta e tij për të penguar daljen e rezultatit në kohë dhe vonuar procesin ankimor dhe krijuar amulli në elektoratin që e ndëshkoi me votë. Krahas vendimit të Kolegjit për pavlefshmëri absolute të vendimit të KQZ-së për të rinumëruar të gjitha kutitë e Lezhës, Gjiknuri sjell edhe një argument tjetër. “Fakti, të fshehësh paligjshmërinë në emër të transparencës kjo është e dënueshme dhe e papranueshme. Nëse ke nevojë për transparencë, mund ta kërkosh me mekanizma të tjerë. Nuk mund të përziesh transparencën gjatë një procesi të shqyrtimit administrative. Ligji, sa për t’ia sqaruar publikut me kërkesë të PD-së, në vitin 2011 në Kodin Zgjedhor është ngushtuar hapësira e rinumërimit, duke u bazuar vetëm në shkaqe të qarta që kanë të bëjnë me vota të kontestuara e që palët e dinë paraprakisht problemin. Nuk njihet koncept rinumërim total se ti ke kërshëri. Ajo që njeh ligji është nëse ka kontestime, t’i rinumërojmë, sepse KZAZ nuk janë vlerësuar si duhet. Kjo ka qenë kërkesë e PD-së e reflektuar në Kod dhe mjafton të krahasoni tekstin e kodit të 2009 me atë të 2012-ës do të shihni ndryshimin ne ligj. PS-ja,  thotë Gjiknuri, nuk është kundra transparencës dhe për këtë u ofron demokratëve këtë zgjidhje. “Nëse Berisha kërkon transparencë, unë po e them edhe në emër të PS-s, se ka forma të ndryshme. Një prej tyre është ajo që na është mohuar në 4 vjet më parë dhe tani le të bëhet realitet. Që do të thotë, PD-ja, në qoftë se ka kërshëri për të parë sa e thellë është humbja e saj, apo do të bëjë transparencë të gjithë procesit, të kërkojë në Parlament një komision hetimor të përbashkët dhe le të bëjmë transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe mos të vonojmë zgjedhjen e rezultatit, pasi biem në kundërshtim me çdo lloj norme juridike dhe normë të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Gjiknuri.