Damian Gjiknuri: Bashkëpunimi i mëtejshëm me Maqedoninë e Veriut, fuqizon vendet tona në rolin e Ballkanit Perëndimor në arenën ndërkombëtare

107
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë socialiste Damian Gjiknuri ka ndarë në rrjetet sociale disa nga fotot gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 114 vjetorit të Kongresit të Manastirit. “Kënaqësi e jashtëzakonshme të merrja pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 114 vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe mikëpritjen që më rezervuan kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me shqiptarët e mirë Ali Ahmeti, Artan Gurbi e Talat Xhaferi.  Në 14 – 22 nëntor 1908 mendje të ndritura si At’ Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Lugj Gurakuqi e të tjerë atdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në qytetin e Manastirit dhe vendosën alfabetin e shkronjave shqipe”- shkruan në publikimin e tij Gjiknuri. Numri dy i PS ka ndarë edhe momente nga takimet e zhvilluara me disa personalitete gjatë vizitës së tij në Shkup. “Kënaqësi të zhvilloja një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të LSDM në Maqedoninë e Veriut, Mile Zečević. Situata politike, bashkëpunimi i mëtejshëm në fushën e ekonomisë, roli që luajnë vendet tona në fuqizimin Ballkanit Perëndimor në arenën ndërkombëtare, ishin disa prej temave që diskutuam.” Gjiknuri ka deklaruar se ka përfunduar vizitën dyditore në Shkup, ndërsa ka takuar edhe Fatmir Bytyçin, zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe Përgjegjës për Çështjet Ekonomike. Në publikimin e tij Gjiknuri deklaron se me Bytyçin ka diskutuar mbi perspektivat dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, rolin e faktorit shqiptar dhe intensifikimin e shkëmbimeve tregtare me fokus të veçantë te prodhimet bujqësore.