Dako: Ndihmë fermerëve, brenda vitit të parë pastrojmë 240 km kanale vaditëse

399
Stacioni i radhës i Vangjush Dakos ka qenë komuna e Katundit të Ri, e cila me ndarjen e re administrativo-territoriale bëhet pjesë e bashkisë së re të Durrësit. Pastrimi i 240 km kanale vaditëse të papastruar për 25 vjet me radhë, vënia në punë e rezervuareve, ndërtimi i rrugëve parësore e dytësore, si dhe ndihma konkrete për zhvillimin e sipërmarrjeve të agrobiznesit, ka qenë angazhimi i Dakos për zhvillimin e kësaj komune, e cila shtrihet në një zonë fushore me kushte të mrekullueshme për zhvillimin veçanërisht të agrobiznesit, por që fatkeqësisht, vuan mungesën e investimeve dhe pasojat e mosfunksionimit e kushteve të papërshtatshme infrastrukturore.
“Bashkia e Durrësit do të jetë në mbështetjen tuaj”, i siguroi bashkëbiseduesit kreu aktual i bashkisë së qytetit bregdetar. Do t’ju mbështesim në këto nisma, duke krijuar kushte lehtësuese, pasi tokën bujqësore, këtë pasuri të paçmuar që na e ka dhuruar natyra, duhet ta shfrytëzojmë për rritjen ekonomike për çdo familje. Jemi duke parë nga afër të gjithë problemet që ka bujqësia, dhe ne si Bashki kemi për detyrë pastrimin e të gjithë kanaleve vaditëse të cilët më pas do t’ju shërbejnë për ujitje(vaditje), duke u angazhuar se 240 km kanale do të jenë të pastruar gjatë mandatit të ardhshëm. Ky është një premtim i realizueshëm që në vitin e parë të mandatit të ardhshëm,” theksoi Dako, duke vënë në dukje se për 25 vjet me radhë këto kanale kanë vuajtur mungesën e kujdesit, pasi as nuk janë pastruar, dhe as nuk janë mirëmbajtur, u shpreh Dako.
Dako ka vizituar një plantacion agrumesh të konceptuar e zhvilluar sipas standardeve bashkëkohore. Dako tha se “është e pabesueshme që një zonë e tillë të ketë një plantacion kaq të madh me agrume,” duke i falënderuar fermerët sipërmarrës për punën dhe idenë e një investimi të tillë, duke shfrytëzuar tekonologjinë në zhvillim, për të krijuar, siç e quajti ai, “këtë kopësht të mrekullueshëm. Falë punës suaj keni krijuar këto vreshta. Mbështetja jonë për vreshtarinë do të jetë shumë e madhe. Ka ardhur momenti, që ne të përcaktojmë kulturën bujqësore që do të duhet të ushtrojmë, favorizuar nga toka prodhuese dhe klima e përshtatshme që kjo zonë ka”, tha Dako.
Në vemendjen e tij kanë qenë edhe fermerët që merren me pulari. “Jemi të vendosur që ta ndihmojmë këtë nismë, këtë ide të banorëve të kësaj zone”. Jemi të impresionuar nga puna e madhe që këta njerëz bëjnë, dhe do të bëjmë çmos që shteti të mbështesë nisma e ide të tilla, të cilat e çojnë ekonominë e kësaj zone përpara dhe gjithë Durrësin drejt zhvillimit, tha Dako. Duke shpjeguar më tej vizionin dhe projektin konkret për zhvillimin e bujqësisë, Dako foli më tej për nismën e krijimit të Inspektoratit të Arave, si një nga instrumentet e rëndësishëm për lehtësimin e procedurave për pastrimin dhe vaditjen e tokave bujqësore, si dhe rikonstruksionin e rrugëve që të cojnë në parcelat bujqësore. 
Sigal