Çlirim Gjata: Ndryshimet e Kushtetutës në Shqipëri, po bëhen për qëllime personale të Edi Ramës

51

“Në demokraci, të qeverisësh pa Gjykatë Kushtetuese, pra pa garantët e kontrollit të demokracisë, është sikur të qeverisësh në kushtet e një grushti shteti. Sot kemi si pushtet vetëm një Kryeministër që kontrollon parlamentin, dhe me anë të tij, po emëron institucionet e reja të drejtësisë në vend, ndërkohë që pengon formimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Flet Çlirim Gjata, Sekretar për Çështjet Ligjore në PD: Loja e “Rilindjes”, me kushtetutën, le shqiptarët jashtë BE-së

Intervistoi: Zenel Çeliku

Z.Gjata, tashmë kemi një tablo, është bërë shumë punë për miratimin e Kushtetutës së parë postkomuniste, ndërsa në afro 25 –vjet, (1991-2015) ka pasur tentativë të vazhdueshme për t’a ndryshuar atë sipas interesave politike. Cili është komenti juaj?

Kjo tregon për një shtet të pastabilizuar. Sa kohë nuk ka kushtetutë stabël, aq kohë nuk ka stabilitet shteti. Për 100- vite shtet, (që nga Statuti Themeltar i Lushnjes në 1920, që është dhe Kushtetuta e parë shqiptare), kemi miratuar 16 kushtetuta dhe ndryshime kushtetuese. Në Kushtetutën demokratike të `98-s kemi ndërhyrë pesë herë. E pra, kështu vetëm stabilitet shtetëror nuk ka këtu. Kjo vlen edhe për ndërkombëtarët, që stabilitetin ta vejnë mbi demokracinë. Por, historia na mëson se, pa demokraci dhe shtet ligjor modern, që fillon nga një kushtetutë e qëndrueshme, nuk mund të ketë stabilitet.

Z.Gjata, shikojmë se PS-ja në maxhorancë, po ndërhyn në Kushtetutë, cili është gjykimi dhe vlerësimi juaj për drejtësi kushtetuese në Shqipëri?

Këto ndryshime nuk po bëhen për arsye të nevojave kushtetuese në Shqipëri, por për arsye politike personale të Edi Ramës. Ai e ka parë humbjen e tij të pashmangëshme në zgjedhjet e ardhshme dhe po mundohet të pengojë fitoren e opozitës me ndryshime kushtetuese. Gjithashtu, këto ndryshime dhe ngjarje të tjera si kjo, apo më të vogla se kjo, bëhen edhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga keqmenaxhimi i pandemisë, nga ekonomia që po shkon në grope, (17mijë vende pune të humbura vetëm në dy muaj) nga rendi që është marrë në dorë nga krimi dhe mafia e drogës e shumë skandale pa fund të qeverisë.

Si ekspert në fushën e jurispundencës, çfarë mendoni për Drejtësinë
kushtetuese si koncept në zhvillim, ndërkohë që në Shqipëri, nuk ka gjykatë Kushtetuese?

Në demokracitë qeverisë, pa Gjykatë Kushtetuese, pra pa garantët e kontrollit të demokracisë, është sikur të qeverisësh në kushtet e një grushti shteti. Në situatën e tanishme në Shqipëri, me mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë ka rënë parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve. Sot kemi si pushtet vetëm një Kryeministër që kontrollon parlamentin dhe me anët e tij, po emëronin institucionet e reja të drejtësisë në vend, ndërkohë që pengon formimin e Gjykatës Kushtetuese. Demokracia është në dorën e tij, të Ramës, ndërsa për qytetarët demokracia është shumë larg. Pyetja në këtë rast është, Kryeministrin kush e kontrollon?

Pse pikërisht në një kohë izolimi nga pandemia dhe nga një klimë politike plot konflikte në vend, PS-ja kërkon ndryshime kushtetuese? Çfarë mendoni Ju?

Duket edhe nga pyetja juaj. Si mund të bëhen ndryshime kushtetuese në kushte pandemie, madje dhe komisioni parlamentar komunikon me telefon? Por halli që e ka zënë kryeministrin nga humbja e pushtetit, është kaq i madh, sa e detyron atë që t’i hyjë aventurave të tipit-grusht konstitucional shteti dhe të bëjë ndryshime kushtetuese. Ai ka parë jo vetëm humbjen e pushtetit, por edhe humbjen e privilegjeve dhe pasurive të siguruara në mënyra abuzive, ndaj dhe ka humbur arsyen.

Z.Gjata, a mendoni se vërtet është nevojë e zhvillimeve politiko-juridike-shoqërore për amendime në Kushtetutë?

Kjo Kushtetutë që kemi sot është ndryshuar 5 herë dhe ka humbur ekuilibrin dhe lidhjen organike mes institucioneve kushtetuese që ndërtojnë shtetin. Mendoj se ka dalë jashtë loje si Kushtetutë, dhe nuk garanton stabilitetin e shtetit. Ndaj ka ardhur koha për një reformë të thellë dhe totale kushtetuese, ku të spikasë parlamenti me dy dhoma(senat). Një Kushtetutë që të mos i lejojë aktorët politikë në kohëra ta ndryshojnë atë, sa herë ju duhet për pushtetin e tyre. Pra të pengojë atë që po ndodh sot.

Z.Gjata, ka zëra se politika me konsensus duhet të bëjë ndryshime në Kushtetutë, në kuadrin e proceseve të vetintegrimit të Shqipërisë në BE, çfarë mendon PD-ja?

Ju a citova dhe më lart. Nuk mund të ndryshohet Kushtetuta në këto kushte që jemi sot. Nga një parlament që nuk plotëson numrin kushtetues të deputetëve. Kushtetuta kërkon konsensusin e të gjithë përfaqësuesve e madje edhe referendum. Por,mbi të gjtha kërkon një debat të thelluar dhe profesional me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Vetëm kështu mund të arrijë të plotësojë kriteret për njohje nga BE-ja, si Kushtetutë demokratike.

  1. Gjata, shpesh është thënë se Kushtetuta e 1998-s, nuk arriti të garantojë stabilitetin politik në vend, nuk mbajti dot peshën që të konsolidojë marrëdhëniet mes institucioneve, ju lutem cili është komenti juaj si ekspert dhe jo, si politikan?

Kushtetuta e `98-ës, u bë pa konsensus, pak a shumë si tani, në kushte lufte. Si e tillë, solli e vazhdon të sjellë të gjitha këto pasoja që po kalojmë. Ajo nuk arriti që të garantonte sigurinë dhe paprekshmërinë nga interesat politike të momentit. Ndaj dhe vazhdoj të insistoj në nevojën e një kompromisi të madh historik për miratimin e një Kushtetute të Re.