Sigal

Akademik Artan Fuga

Unë e përbuz kuptimin e jetës sociale dhe të politikës sipas metaforave që vijnë nga gjeometria, sidomos ajo euklidiane. Kështu që nuk do të hargalisem duke i përfytyruar krimin dhe politikën si dy rrathë koncentrikë, apo tangjencialë, apo të mbivendosur, apo të ndërprerë me njeri tjetrin. Por, pyetja mbetet:

Çfarë lidhjesh ka politika dhe krimi?

Pyetje e vështirë që kërkon përgjigje nga studime dhe, sado që këto studime të bëhen, përsëri do të kërkonin hulumtime madje investigime të pafundme. Por, le ta shohim çështjen në një plan aktualiteti. Sot e një muaj, në Shqipëri politika debaton lidhur me individë ose grupe që deklarohen se kanë qenë të lidhur me trafikun e drogës, për implikime politikanësh në shoqëri me njerëz të trafikut të lëndëve narkotike etj. Këtu u pleksën edhe marrëdhënie të dhunshme erotike mes çiftesh, ku edhe politika gjeti ushqim. U implikuan policë, komisarë, deputetë, dhe debati politik i përfshiu të gjitha brenda vetes. Politika dhe lufta politike po bëhet rreth çështjeve kriminale që në një shtet normal nuk do të ishin dosje që ja vlente të merrej tjetër njeri veç ndonjë oficer policie zone, hajde te themi ndonjë nëndrejtor rendi, ndonjë specialist krimesh dhe njerëz të shkalleve të ulta të pallatit të drejtës, por ja që ne nuk jemi normalë. Krimi na është ulur në mesin e debatit politik. Këtu ngatërrohet edhe teknologjia që si gjithmonë kulturalisht si komb e civilizim ende nuk kemi ditur ta mbajmë në zap dhe ta përdorim si duhet, por vetëm për shejtanllëqe. Dikur bënim sikur prodhonim traktorin që nuk ishte veçse kinez, dhe sot bëjmë sikur prodhojmë avionin që nuk është veçse turk. Telefonat për të regjistruar dhe përgjuar njeri tjetrin ose kundërshtarët.

Pse na përmblidhet debati politik në hamendje lidhur me krimin, trafikantët, deponimet e tyre, etj., ky është një tjetër problem. Por mendoj që media dhe politika sado që duhet të merren edhe me gjendjen e kriminalitetit në vend, përsëri nuk ka vend që politikani, ose opinionisti, analisti propagandistik që mbron interesa në studio televizive të sillen të flasin sikur të ishin detektivë privatë, policë, agjentë të fshehur brenda strukturave kriminale. Duket se papritur Shqipëria është mbushur në politikë e media me Derrick, Colombo, 007, Alen Pinkerton, Monk, Sorge e të tjerë që vetëm imagjinata filmike na i ka bërë të dashur. Pra duhet dalluar se ku mbaron politika dhe fillon kriminologjia, sepse përndryshe jemi të futur në një kurth ku politika që duhet t’i shërbejë qytetarit do ta ketë të pamundur si deri më sot, ta luajë rolin e saj specifik. Po qe se kjo nuk bëhet, politikani nuk mund ta zëvendësojë dot një komisariat policie as një deputet një polic. Është detyrë e politikës të kërkojë llogari se, përse një ish-trafikant transferohet urgjentisht në një vend të huaj. Kush e bëri dhe si? Por, nuk është roli i politikanit të bëjë sikur gjoja e di, se një incizim është i bërë nga persona realë apo nga aktorë. Është detyrë e politikës të ushtrojë kontroll se si monitorohen dhe nga kush kamerat e një komisariati policie, por nuk mund të jetë një detyrë e politikanit të ndriçojë nëse X ia vuri apo nuk ia vuri policit revolen te koka. Është detyrë e politikanit të kërkojë që marrëdhëniet midis policisë dhe prokurorisë të jenë të tilla që, as drejtori i përgjithshëm i policisë të mos i shpëtojë hetimit nga drejtësia, nëse duhet, por nuk mund të jetë roli i politikanit të na tregojë, nëse deponimet e një ish-trafikanti janë ose jo të sinqerta. Është detyrë e politikanit të kërkojë llogari, sesi njerëz që janë vendosur në qendër të vëmendjes të drejtësisë kalojnë kufirin dhe shkojnë në Kosovë.

Por, nuk mundet që një politikan ose opinionist të na zbulojnë, nëse dikush ka marrë ose jo lekë apo euro nga politika për të rrëfyer një ngjarje të stisur apo të shpikur. Pra, duhet vendosur kufiri i specifikave të veprimit, aksionit, dhe debatit politik nga njëra anë dhe i prrallisjes mediatike-kriminologjike nga ana tjetër, si edhe të dallohen këto nga investigimi policesk-juridik si detyrë e organeve të rendit dhe e pallatit të drejtësisë. Detyra është bërë urgjente sepse politika duket qartë që ka rrëshqitur drejt një sfere tjetër që është kriminologjia. ■Çfarë humb opozita? Humbet rastin që, nisur nga skandalet e dala në dritë, të bëjë politikë opozitare. Pra bie në kurthin e ngritur nga pushteti.

■Çfarë humb qeverisja? Humbet pikërisht imazhin që duhet të ketë në popull, se është atje për të qeverisur dhe jo për t’u marrë me detyra që i takojnë organeve të rendit. Madje, as ministrit të brendshëm. Nuk ka përse të merret ky i fundit me drejtimin e operacioneve të policisë. Ka drejtor të përgjithshëm që ka këtë detyrë. Ministri është njeri politik dhe kaq.

■Çfarë humbet policia dhe drejtësia? Diskreditohet në sytë e publikut gjë që cenon rëndë rendin dhe drejtësinë. I keni parë krimet sesa janë shtuar këtë muaj?

■Por, nga ky konfondim i politikës me kriminologjinë, ata që humbin janë qytetarët. Nuk dinë më kush është politikani, polici, prokurori, trafikanti. Gjithçka kthehet në një kaos ku në sytë e tij politika, veprimi kriminal, gjyqësia dhe media janë përzierë në një univers kaotik ku ai nuk orientohet dot. Në këtë rast rruga që i mbetet qytetarit është të iki, të iki nga politika, të iki nga media, të iki nga respektimi i rendit, të iki … nga Shqipëria. Politika duhet të merret fort me krimin, por po qe se merret si një kriminologji e fabuluar, nga çdo anë ta marrësh, ajo, pra politika bëhet e neveritshme.