Çfarë e lidh Arta Markun, Gramoz Ruçin dhe prokuroren e emëruar dje në Durrës?

485
Ka kaq shumë fije që lidhen në politikën shqiptare, saqë me disa kërkime të thjeshta, mund të bësh zbulime që thonë shumë. Kështu në lëmin e emërimeve dhe shkarkimeve në radhët e Prokurorisë ka një emër që është ai i Donika Prelës.
Ajo zëvendësoi Agron Gjanën në krye të Prokurorisë së Durrësit, me vendim të Arta Markut.
Po nëse për Prelën nuk gjen asnjë imazh, e vetmja çështje për të cilën ajo ka fituar vëmendjen mediatike ka qenë ajo e gjashtë viteve më parë kur lironte nga akuza për drogë djalin e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçit.
Socialistët në opozitë asokohe e konsideronin ndalimin e Ledio Ruçit si një vendim politik, dhe presion nga ana e qeverisë së Sali Berishës. Prela në vendimin e saj e ka cilësuar si të paligjshëm ndalimin e Ruçit.
Por çfarë ndodhi në vitin 2012?
Bie akuza për drogën në makinë. Ndalimi cilësohet i paligjshëm
Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së, fiton në sallën e gjyqit lirinë e munguar prej 70 orësh. Ndalimi i tij u quajt i paligjshëm, duke iu hedhur poshtë nga gjykata dyshimi i prokurorisë për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Trupi gjykues, përfaqësuar nga Kastriot Selita, ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ledio Ruçin dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit.
Seanca gjyqësore ndaj 28-vjeçarit Ruçi u zhvillua mesditën e djeshme. Rreth orës 12:00, i riu, ndaluar pasditen e së hënës, pasi në makinën e tij u gjet 1.5 gramë kanabis, ka hyrë i shoqëruar me punonjës të policisë në godinën e Gjykatës. Ai përfaqësohej nga dy avokatë, ndërsa në sallën ku u zhvillua seanca ndodhej i pranishëm vetëm një shok i tij.
Përfaqësuesja e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela, e ka cilësuar që në fillim të paligjshëm kontrollin e dytë në makinën e Ruçit, por ka pranuar si të ligjshëm ndalimin dhe gjetjen e provave, pikërisht qesen e drogës.
Prokurorja është rikthyer dhe një herë në datën 27 janar, kur makina me targa zyrtare e familjes së deputetit, TR 0141 Z, u ndal në një postbllok të policisë së Durrësit. Sipas organit të akuzës, më 27 janar, në këtë makinë u ushtrua kontroll, ku u zbulua një armë sportive me dylbi.
Menjëherë u arrestua Lori Kelolli, shoku i drejtuesit të makinës, Ledio Ruçi, ndërsa makina me targa Z u bllokua për mungesë dokumentacioni. Pas tri ditësh, Gjykata e Durrësit e liroi Kelollin, pasi arma rezultoi me leje.
Të njëjtën ditë, oficerët e policisë së Durrësit i kanë kërkuar të riut Ruçi që të lëvizte makinën që kishte bllokuar një tjetër mjet në pikën e bllokimit në Shkozet. Sipas prokurores, më 30 janar, në orën 14.00, efektivat të Antidrogës dhe të rendit, në prani të vetë të pandehurit Ruçi, kanë ushtruar një kontroll të dytë në automjet, ku u gjet në cilësinë e provës materiale 1.5 gramë kanabis sativa.
Ky kontroll është quajtur i paligjshëm nga ana e prokurores, ndërsa ndaj Ledio Ruçit ngre dyshimin si autor i veprës penale të prodhimit dhe trafikimit të drogës.
Sigal