Çadra e PD-së, denoncime për varfërinë dhe koston e jetesës

430
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkëbisedoi me qytetarë për varfërinë dhe rritjen e kostos së jetesës përgjatë këtyre katër viteve. Pedagogë, profesionistë, qytetarë të papunë u bashkuan për të denoncuar situatën e rëndë ku ndodhen familjet shqiptare sot. Gjatë diskutimeve në çadrën e Partisë Demokratike u theksua fakti, se kjo qeveri për 3 vjet e gjysmë thelloi varfërinë ekstreme tek shqiptarët dhe goditi shtresën e mesme dhe të ulët të qytetarëve. Sipas shifrave të Bankës Botërore, në Shqipëri 45% e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë. Ndërsa skamja ka prekur 6% të popullsisë, e cila mbijeton me më pak se 2 dollarë në ditë.

Pedagogia Anita Gumeni tha, se Shqipëria është vendi më i varfër në Evropë dhe qytetarët paguajnë shërbimet më shtrenjtë se vendet e rajonit. Karburanti në Shqipëri është 30% më i shtrenjtë, edhe pse jemi vend që e prodhon naftën. Më pas qeveria rriti edhe çmimin e gazit. Edhe pse premtuan, se për familjarët çmimi i gazit nuk do të rritej, qytetarët thanë se gjithkush e di se çmimi është rritur nga 30 lekë për litër në 75 lekë për litër. Gumeni denoncoi edhe mashtrimin për premtimin elektoral të rritjes së pagave me 10%. Kjo rritje page nuk arrin të mbulojë as shpenzimet shtesë të shkaktuara nga rritja e çmimeve dhe taksave që i kanë hequr shportës së shqiptarëve 20% të saj duke e bërë rritjen me 10% të pamjaftueshme për të balancuar rritjen e çmimeve të shportës. Sipas mbështetësve të opozitës, arsimi sot paguhet më shtrenjtë, ndërsa ata që përfundojnë shkollën dhe nuk gjejnë një vend pune, përbëjnë 40% të të papunëve të Shqipërisë.

Ish-drejtoresha e Institutit të Statistikave, Ines Nuri tha se askush nuk e beson Kryeministrin kur deklaron që ka hapur mbi 150 mijë vende pune për sa kohë shifrat e papunësisë vazhdojnë ende të rriten. Stivi nga Malësia e Madhe dëshmoi, se dyqanin e vogël që kishte prej vitit 1995, “Rilindja” ia mbylli në vitin 2013, duke i hequr të vetmin burim financiar familjes së tij.

Të papunët theksuan se, jo vetëm nuk marrin ndihmë sociale por duhet të paguajnë për shërbimet njëlloj si çdo qytetar. Lumturie Ratkoceri tregoi se, edhe në një rast kur kryefamiljari kishte vrarë veten, duke lënë gruan me dy vajza adoleshente në shtëpi, shteti nuk i mundësonte ndihmë për shkollim vajzave, mamaja e të cilave paguhet 250 mijë lekë të vjetra dhe paguan 200 mijë lekë qira shtëpie, pa të drejtë për ndihmë sociale. 

Kryetari Lulzim Basha tha, se çdo shqiptar që dëgjon hallet e qytetarëve nga Sheshi i Lirisë, e gjen veten në rrëfimet e tyre, pasi ata janë bashkuar më shumë se kurrë nën peshën e madhe të halleve që i kanë zënë. “Kjo nuk do të thotë se ne vijmë këtu me naivitetin apo me euforinë se gjithçka ishte parajsë para tre vitesh e gjysmë. Absolutisht jo! Por, pyetja më thelbësore që i bëjmë njëri-tjetrit sot, është, a jemi sot më mirë se tre vjet e gjysmë më parë? 200 mijë vende të reja pune çdo ditë që kur kanë marrë pushtetin, këtë po iu thotë shqiptarëve. Por në fakt, këto 200 mijë vende, janë 200 mijë familjarë, që janë sot kanë ikur në emigracion për shkak të kësaj qeverie. Kjo është një statistikë evropiane”, tha Basha.
Sigal