Bundestagu flet gjermanisht: Pa zgjedhje të reja harrojeni BE-në

461
Sigal

Kushti i qeverisë gjermane për anëtarsimin e Shqipërisë do të nisë pas vënies në punë të Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dhe mbylljen e Reformës Zgjedhore me përfshirjen e të gjitha forcave politike. Ndërkohë që Bundestagu thekson se nuk do të ketë aëtarsim të plot para Konferencës së Dytë pa zhvilluar zgjedhje të reja nga një qeveri kujdestare.

Kushti i qeverisë gjermane: Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë

Bundestagu ultimatum Shqipërisë: Pa zgjedhje të reja nuk ka negociata

Mazhoranca shqiptare prej disa ditësh trumbeton në media se hapja e negociatave këtë vit është një prioritet i arritshëm, madje theksohet se po ndërtohen të gjitha institucionet si kusht i Bundestagut. Por ish-deputeti i PD, Genc Pollo, ka publikuar edhe njëherë në rrjetet sociale vendimet e miratuara nga Bundestagu gjerman që lidhen me hapjen e negociatave. Sipas raportit të dalë nga Bundestagu Shqipëria duhet të përmbushë 12 kushtet e vendosura para Konferencës së parë të Anëtarësimit. Ndërkohë Bundestagu thekson se nuk mund të ketë anëtarësim të plotë nëse nuk janë zhvilluar zgjedhje të reja para Konferencës së Dytë, si dhe procesin e negoviatave duhet ta drejtojë qeveria e re.

Deklarata e ish deputetit Genc Pollos:

Meqë me shumë të drejtë po flitet përditë për kushtet e Bundestagut por jo përherë ato kushte paraqiten në përmbajtje lipset të kujtojmë publikun se 12 kushtet duhet të përmbushen pjesërisht para Konferencës së Parë të Anëtarësimit (përcakton kuadrin e negociatave) e plotësisht para Konferencës së Dytë të Anëtarësimit (faktikisht çel negociatat). Kusht kryesor i Konferencës së Dytë janë mbajtja e zgjedhjeve pas kryerjes së reformës zgjedhore. Shkurt e përmbledhtas: Pa bërë zgjedhje nuk ka realisht negociata; Negociatat do t’i drejtojë qeveria e dalë nga zgjedhjet. Më poshtë mesazhi përkatës nga rezoluta e Bundestagut në shqip, gjermanisht e anglisht.

“Bundestagu gjithashtu i kërkon Qeverisë Federale

Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që

  1. a) Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.

– Të merret vendim për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.

  1. b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave përmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojë plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore të inicuar

– Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;

– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,

– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar

– Progres solid në krijimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe procedimet e para të përfunduara kundër nëpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,

– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive,

– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor”.