Bujar Nishani: Kemi përgjegjësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme

441
Sigal

Gazeta Telegraf/

Presidenti i Republikës organizon pritje me rastin e
Ditës së Pavarësisë

Presidenti i
Republikës, Bujar Nishani, ka organizuar mbrëmjen e së hënës një pritje zyrtare
në Pallatin e Brigadave me rastin e Ditës së Pavarësisë. Në fjalën e tij Nishani
u shpreh se, “Rruga e gjatë në histori mes luftërash, rreziqesh kryengritjesh,
mes kujtimit të mijëra dëshmorëve dhe gjakut të derdhur, rilindja e vërtetë
shqiptare, mbërriti në apogjeun e vet. Si kurrë më parë e shkuara dhe e
ardhmja, gegë dhe toskë, të gjallë dhe të vdekur, ishin pranë njëri-tjetrit në
një ditë të shenjtë rreth Ismail Qemal bej Vlorës. Nder përjetë atit themelues!
Nder përjetë rilindësve të mëdhenj të Kombit! Nder përjetë luftëtarëve dhe
dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarëve drejt
modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasin,
që kurse zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane!”. “Do të na mbetet peng
në ndërgjegje, nëse sonte vëmendjen nuk e kthejmë me mirënjohje ndaj Vilhelm
Vidit, princit evropian të shqiptarëve. Po ashtu, do të mbeteshim peng të
historisë së ideologjizuar komuniste, nëse nuk e kthejmë edhe formalisht
mbretin Zog, këtë burrë të ndritur të kombit shqiptar, shtetformues e
konsolidues të tij, atdhetar e politikan të klasit të lartë në Panteonin e
vlerave të ndritura kombit. Nder përjetë kujtimit të tyre”, tha Nishani. “Kanë
kaluar 104 vjet nga dita e shenjtë, 104 vjet histori e shtetit shqiptar në të
cilën reflektohen të gjitha virtytet dhe cenet tona. Qëndresa dhe fataliteti,
liria dhe tirania, lufta dhe paqja, diktatura dhe anti-komunizmi, pluralizmi
dhe demokracia, tranzicioni dhe integrimi. Gjatë fundit të kësaj periudhe
problemet e shqiptarëve në Ballkan kanë gjetur zgjidhje duke i dhënë paqe dhe
stabilitet rajonit”, tha Nishani. Presidenti Nishani u shpreh se, “Fjala e lirë
është arritja jonë më e madhe dhe duhet ta ruajmë atë me çdo çmim”. Presidenti
theksoi, se kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje që kanë treguar, që ende
nuk jemi larguar plotësisht nga e shkuara e errët komuniste. Duke folur për
zgjedhjet e ardhshme, Nishani u bëri thirrje forcave politike që të bëjnë
reformën zgjedhore, pasi nevoja për zgjedhje të lira dhe të ndershme është
jetike. Shprehu gjithashtu besimin e tij, se institucionet shqiptare do të dinë
të ngrihen në lartësinë e sfidave që i presin.