Bujar Leskaj: Devijimi i ujit të lumit të Vlorës, katastrofë sociale dhe ekologjike

15
Sigal

Sekti Rama gati të lërë pa ujë me dhjetra fshatra dhe mijëra banorë të lumit të Vlorës, për t’ua çuar ujin oligarkëve të vet në Himarë!

Projekti i ujësjellësit të ri për Bashkinë  Himarës, duke devijuar ujin e lumit të Shushicës (lumit të Vlorës), konsiderohet nga të gjithë ekspertët e mjedisit dhe nga banorët e luginës së lumit të Vlorës, si kërcënim për ekosistemin dhe shkatërrim të mundësive për zhvillim ekonomik të zonës.

Projekti i ujësjellësit të ri  parashikon devijimin e ujit nga Lëpusha, burimi kryesor i Shushicës, drejt resorteve turistike të oligarkëve të Ramës në Himarë dhe Dhërmi, që, përmes ligjit famëkeq të Investimeve Strategjike, kanë përfituar tokë në bregdet me VKM-të e Ramës, duke shpronësuar banorët e Jugut të Shqipërisë.

Uji është pasuria më e madhe që dhjetra fshatrat e luginës së lumit të Vlorës kanë. Deri tani, uji i Shushicës ose ndryshe i lumit të Vlorës, me vështirësi ka plotësuar kërkesat e komunitetit të kësaj lugine .

Ai nuk mund kurrsesi të devijohet! Për të dërguar ujë tek oligarkët e vet në Himarë dhe Dhërmi, Rama është gati të shkatërrojë mundësitë ekonomike dhe ekosistemin e një zone tejet të populluar, sikurse janë dhjetra 30 fshatrat e bashkisë Himarë dhe të bashkisë Selenicë në luginën e lumit të Vlorës!

Për këtë akt të pashembullt, kam bërë denoncim pranë Kuvendit.  Më datën 21 shtator 2023, përcolla kërkesën e drejtë te banorëve të fshatrave Kuç, Kallarat, Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm, Mesaplik, Gumenicë, Kotë, Drashovicë, Mavrovë, Lapardha, Vodicë, Peshkëpi, Xhuherinë, Armen, Llakatund e Lubonjë, për anullimin e punimeve për marrjen e ujit në buronjat e Kuçit, për qëllime komunale në Bashkinë Himarë.

Kjo kërkesë iu drejtua Kryetarit të Bashkisë Vlorë, Kryetarit të Bashkisë Himarë, Prefektit të Qarkut Vlorë, Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Mjedisit të Kuvendit, Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Ministrit të Mjedisit, Kryeminstrit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Ujësjellësi i ri i Himarës po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si pjesë e Programit të Rehabilitimit të Ujësjellësavë Ruralë IV. Projektet e devijimit të lumit të Vlorës, nuk janë histori e re. Ato janë diskutuar disa herë gjatë 5 dekadave të fundit, por një ndërhyrje e tillë nuk është guxuar kurrë të realizohej deri tani, për shkak të katastrofës sociale dhe mjedisore që ajo shkakton.

Ekspertët dhe shkencëtarët që merren prej vitesh me studimin e ekosistemit dhe specieve që jetojnë në ujërat e Vjosës dhe në degët e saj, kanë deklaruar se raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të projektit të ndërtimit të Ujësjellësit të ri të Himarës është i gabuar dhe i pabazuar në prova shkencore. Profesor Friedrich Schiemer, një kërkues shkencor i njohur nga Universiteti i Vjenës në Austri, e cilësoi raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis si “të gabuar dhe çorientues”.  Ky raport, i realizuar në vitin 2020, ka shërbyer për lëshimin e lejes mjedisore për projektin, nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Raporti citon se në  ujërat e Lumit të Vlorës nuk ka specie të rralla të rrezikuara që janë regjistruar, ndërkohë kur shkencëtarët dhe studjuesit vendas dhe të huaj, që merren prej vitesh me studimin e ujërave të Shushicës, raportojnë se, në fakt, ka qindra specie të rrezikuara në burim dhe në lumin e poshtëm të Vlorës.

Raporti gabon, kur cilëson se projekti nuk ka ndërhyrje me ndonjë zonë të mbrojtur kombëtare. Ekspertët vendas dhe të huaj konfirmojnë të kundërtën. Zona e luginës së lumit të Vlorë, duke qenë Shushica një nga dy degët e lumit të Vjosës, është pjesë integrale e Parkut Kombëtar të Vjosës.

Devijimi i ujit do të sillte katastrofë për komunitetin e 30 fshatrave. Banorët e këtij komuniteti nuk janë ftuar dhe nuk janë pyetur në asnjë prej takimeve konsultative, për zbatimin e projektit të Ujësjëllesit të ri të Himarës. Rama nuk pyet per konsultime me banorët e zonave që do të thajë për ujë, kur vjen puna t’u shërbejë oligarkëve të vet.

Banorët e fshatrave të lumit të Vlorës, së bashku organizatat mjedisore, kanë organizuar deri tani gjashtë protesta në mbrojtje të kauzës së tyre.  Protestat kundër kësaj katastrofe sociale dhe ekologjike, duhet të vazhdojnë dhe të jenë akoma dhe më të fuqishme, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e rrezikuar ekonomike dhe të ekosistemit të 30 fshatrave të luginës së lumit të Vlorës dhe mijëra banorëve të zonës.