Bruksel, Ministrja Shahini në Ministerialin e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit Evropian për Shkencë dhe Inovacion

406
Sigal

Shahini: “Me punë konkrete çojmë përpara agjendën e përbashkët me BE-në”

***
Bruksel/Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Shahini mori pjesë në “Ministerialin e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit Evropian për Shkencë dhe Inovacion”, një platformë drejtuese e bashkë-kryesuar nga Presidenca Finlandeze e Këshillit të BE-së dhe Komisioni Europian (KE).
Prezenca e saj ishte e shkurtër për gjysëm dite, nisur edhe nga situata e ditëve të fundit në vend.
Në panelin me homologët nga rajoni dhe përfaqësuesit e lartë nga KE, Ministrja Shahini falënderoi fillimisht të pranishmit mbi solidaritetin dhe mbështetjen e treguar në lidhje me fatkeqësitë natyrore të ditëve të fundit.
Gjatë diskutimit, Ministrja Shahini raportoi mbi masat e ndërmarra në 2019-tën për ngritjen e kapaciteteve për kërkimin shkencor – ndër to edhe granti qeveritar prej 1.5 milion Euro për infrastrukturën shkencore për universitetet publike, si dhe bibliotekën digjitale për studentët dhe kërkuesit shkencorë.
“Me qëllim rritjen e kërkimit shkencor, si MASR jemi fokusuar totalisht në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Për vitin akademik 2019-2020, kemi alokuar 1.5 milion euro grant për përmirësimin e kapaciteteve kërkuese në universitetet e vendit”, u shpreh Znj. Shahini teksa nënvizoi gjithashtu se:
“Falë politikave tona në drejtim të kërkimit shkencor dhe inovacionit synojmë plotësimin e nevojave të tregut të punës. Ato nuk janë vetëm rruga e Shqipërisë drejt BE-së, por janë domosdoshmërisht aktivitete që duhet të zhvillohen për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kuadër, jemi plotësisht të përkushtuar për ta çuar përpara me punë konkrete agjendën e përbashkët me BE për kërkimin shkencor dhe inovacionin”, tha Znj. Shahini.