Sigal

Fjala në Kuvend e deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari

Të nderuar kolegë. Në fakt jeni mazhoranca unike në botë, që vini këtu dhe bëni moral. Bëni moral, a thua sikur jeni ende në opozitë. Harroni që keni pesë vite që e drejtoni këtë vend. Bëni moral dhe na fajësoni ne për protestën e studentëve. Bëni moral dhe na fajësoni ne për varfërinë në vend. Bëni moral dhe na fajësoni ne, për të rinjtë dhe të rejat që largohen nga vendi. Bëni moral dhe na fajësoni ne për krimin e organizuar, ndërkohë që është komplet e kundërta, ju po e drejtoni këtë vend, ju jeni qeveria dhe ju jeni përgjegjësit kryesorë të shkatërrimit të Shqipërisë. Keni më shumë se 2 javë, mbi 20 mijë studentë ju protestojnë çdo ditë poshtë zyrave të ministrisë, poshtë zyrave të kryeministrisë, dhe ju bëni ironi. I ndani studentët në parti, i ndani studentët në përfaqësues politikë dhe jo politikë, dhe e bëni për një qëllim të vetëm. E bëni këtë gjë për të përçarë protestën, për të përçarë frymën studentore. Por të jeni të bindur që ata studentë nuk protestojnë për ndonjë parti politike. Ata protestojnë kundër Edi Ramës, kundra këtij kryeministri që ka varfëruar Shqipërinë. Dhe të jeni të bindur që protesta e tyre është ekonomike. Është ekonomike sepse tarifat e tyre lidhen drejtpërdrejtë me të ardhurat e familjes së tyre. Lidhen drejtpërdrejtë me të ardhurat familjes së tyre. Ju keni humbur komunikimin me realitetin. Keni humbur komunikimin me realitetin sepse nuk doni të dëgjoni shqiptarët, dilni dhe bëni bashkëqeverisje me partinë. Mblidhni ca anëtarë partie,ju duartrokasin dhe ju thonë që jemi mirë. Jemi shumë shumë mirë. Shqipëria po ecën në rrugën e duhur. Në fakt është e vërtetë. 1% e shqiptarëve janë mirë, janë oligarkët e Edi Ramës, janë klientët e Edi Ramës, janë edhe kriminelët që përkrahin këtë mazhorancë. Ato janë mirë, por po rëndojnë dhe po hanë në kurriz të 99% të shoqërisë shqiptare. Ndaj, ju keni humbur komunikimin me realitetin dhe silleni anembanë vendit si një qeveri klounësh. E keni parë kryeministrin e vendit, shkon si kloun. Shkon në Vlorë dhe besoj e mori shumë të qartë mesazhin nga të rinjtë dhe studentët e Vlorës. Ka dalë 63% Partia Socialiste në Vlorë në mos gaboj, dhe kishte studentë që i thanë ‘dil përjashta sepse ti nuk na përfaqëson’. Sepse i ka shkuar aty ku nuk mban më. Sepse studentët e Vlorës, e Arkitekturës, Elbasanit, Tiranës, Bujqësorit, Shkodrës, e Korçës kanë një mllef të paparë për këtë qeveri sepse prindërit e tyre nuk kanë mundësi të nxjerrin bukën e gojës për të paguar tarifat e studentëve. Ky është problemi i qeverisë. Prindërit e tyre janë të papunë, prindërit e tyre janë të pashpresë dhe vetë studentët ndihen të pashpresë. Studentët protestojnë sepse janë të varfër, sepse nuk kanë mundësi ekonomike, nuk kanë mundësi punësimi. Më thoni ju, a ka ndonjë ministër të kësaj qeverie që të dalë dhe publikisht të flasë për vende të reja pune? Për punësimin e të rinjve? Nuk ka asnjë alternativë kjo qeveri për këtë gjë. Nuk ka asnjë alternativë sepse alternativa e saj është krimi i organizuar, oligarkët dhe trafiku i drogës. Protestojnë për prindërit e tyre që duhet të punojnë për bukën e gojës dhe që i duhet të numërojnë edhe 100 lekëshin e ditës së tyre me qëllim që të paguajnë tarifën e fëmijëve të tyre. Protestojnë sepse prindërit e tyre marrin para borxh për të paguar tarifat, për të arsimuar të rinjtë. Por ju këto nuk i kuptoni, sepse ju janë errësuar sytë nga luksi juaj qeveritar.