Bozdo kryeson fushatën e Kosovës Departamentet hartojnë platformën

554
TIRANE – Kandidati i të djathtës për bashkinë e kryeqytetit Halim Kosova ka nisur tashmë takimet me strukturat në bazë të Partisë Demokratike duke u njohur nga afër me situatën që paraqitet në çdo degë të PD në kryeqytet. Ndërkaq grupi i punës që po merret me fushatën zgjedhore të zotit Kosova po strukturohet çdo ditë.
Burime brenda selisë blu thanë se në krye të shtabit për Tiranën është sekretari organizativ në PD, që është njëkohësisht nënkryetari aktual i bashkisë Enno Bozdo. Po ashtu në krye të grupit të punës është nënkryetari i PD Edi Paloka, deputetët Jorida Tabaku, Gerti Bogdani, Albana Vokshi etj., koordinatorët në PD si dhe drejtuesit e departamenteve, Lucano Boci, Sherefedin Shehu, Zana Guxholli, Belind Kelliqi, Reila Bozdo, Taulant Zeneli, Besart Kadia, si dhe zyra e shtypit në Partinë Demokratike e cila do të merret me promocionin mediatik.
Ndërkaq mësohet se drejtuesit e departamenteve sipas fushave përkatëse po punojnë me platformën që kandidati Halim Kosova do tu paraqesë kryeqytetasve në këtë fushatë elektorale.
Nga ana tjetër deputetët e Tiranës do të jenë në krye të punës në takime që zotit Kosova do të zhvillojë me elektoratin. Ndërkaq ende po punohet për të dalë me sloganin që do të jetë për këto zgjedhje, por mësohet se mund të jetë slogani: “Ofertë e re, punë dhe dinjitet”, te cilën kryetari Basha e kishte gjatë prezantimit të kandidatëve në Fier, Gjirokastër, Shkodër dhe Korçë.
Të enjten e shkuar kryetari i PD Lulzim Basha prezantoi kandidatin e së djathtës për kryeqytetin mjekun Halim Kosova, i cili pritet të dorëzojë mandatin e deputetit për të nisur garën për 21 qershorin. 
Sigal