Boiken Abazi: Rama punon për oligarkët dhe Vuçiçin

292
Sigal

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi doli në një deklaratë për mediat dhe sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama për minishengenin rajonal. Duke theksuar edhe një herë se Kosova është kundër kësaj nisme, Abazi e quajti Ramën bashkëpunëtor të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

“Shqipëria së brendshmi është zhytur në varfëri e pabarazi ekstreme, së jashtmi është vendosur nën sqetullën e Serbisë. Këto janë dy dimensionet e regjimit të Ramës: në politikën e brendshme punon për oligarkët, në politikën e jashtme punon për Vuçiçin. Aq fort është kapur Rama nga Vuçiçi, sa që ky i fundit bën edhe humor me kryeministrin e Shqipërisë, me batuta të hidhura që për temë kanë Kosovën, vendin ku para 20 vitesh qeveria e Vuçiçit ka kryer gjenocid.

Nga projekte si “Zona e Nova Sadit” fitojnë oligarkët e importit, mafia ballkanike dhe Serbia. Ky projekt e vendos Shqipërinë nën dominimin ekonomik e politik të Serbisë, e largon nga interesat kombëtare dhe rrit pabarazinë dhe varfërinë. Ata që mbrojnë “Zonën e Novi Sadit” në Shqipëri janë politikanë që kanë braktisur kombin dhe Evropën. Ata synojnë konsolidimin e pushtetit duke u afruar me Serbinë. Ndërkohë, Serbia ështe vendi i vetëm i rajonit që blen armatim kinez, që strehon baza ruse, dhe është pjesë e Unionit Ekonomik Euroaziatik, me qendër në Moskë. Afrimi i Shqipërisë me sferën kinezo-ruse sjell fitim për pak pushtetarë, bashkë me satelitët e tyre mediatikë dhe tajkunët ekonomikë, por jo për qytetarët e bizneset prodhuese të Shqipërisë, që bëhen edhe më të varfër.

Raporti i fundit i OKB-së për Shqipërinë dëshmon se gati gjysma e popullsisë jeton në varfëri, ose e rrezikuar për t’u zhytur në varfëri. Qytetarët nuk po dalin nga varfëria as kur në letër rritet ekonomia, sepse në Shqipëri ka një pabarazi të strukturuar.

Të ardhurat e kësaj ekonomie po përqëndrohen te oligarkia. Situtata është sa e padrejtë aq edhe alarmante. Shqipërinë po e zhysin në mjerim këta pushtetarë e oligarkë të pangopur, që po lidhen gjithnjë e më shumë me Serbinë. Ata duan të kopjojnë modelin autokratik e oligarkik që përfaqëson Vuçiçi dhe Putini.

Së brendshmi, prej gati një dekade, Qeveria e Shqipërisë nuk e mat më as varfërinë, as pabarazinë, dhe po refuzon të përcaktojë e zbatojë me ligj minimumin jetik.

Përcaktimi i minimumit jetik do të kishte efekt të menjëhershëm te rritja e pagës minimale, rritja e pensioneve minimale dhe rritja e asistencës sociale. Do të ishte një masë zbutëse, por e domosdoshme për lehtesimin e vuajtjeve të njerezve që jetojnë në varfëri.

Rritja e tregtisë me Serbinë e rrit fitimin për disa tregtarë të mëdhenj, por më shumë rrit varfërinë dhe pabarazinë për ne të tjerët. Serbia e dominon tregtinë me Shqipërinë me një shumë që i tejkalon 120 milion Euro në vit. Raporti eksport-import mes Shqipërisë dhe Serbisë është gati 1 me 4 në dëm të Shqipërisë. Rritja e vëllimit tregtar me Serbinë e shkatërron edhe më shumë potencialin prodhues shqiptar dhe punësimin. Serbia investon dhe subvencionon industrinë, teknologjinë e bujqësinë e saj. Në “Zonën e Novi Sadit”, Shqipëria vetem sa zgjeron tregun e Serbisë, pa fituar asgjë.

Edi Rama po sillet si sundimtar feudal i Shqipërisë. Në mes të verës, kur parlamenti është në pushim, pa asnjë konsultim publik, pa miratimin e Kuvendit dhe të qytetarëve, pa transparencë, nënshkruan marrëveshje me Serbinë e Aleksandar Vuçiçit. Kujtojmë që kjo është Serbia që mohon gjenocidet dhe krimet që ka kryer ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit. Kjo është Serbia e bashkëpunëtorëve dhe trashëgimtarëve politikë të Milosheviçit, që ende e quajnë atë një udhëheqës të madh. Kjo është Serbia ekspansioniste që ka shpallur zyrtarisht projektin për zgjerimin e botës serbe në rajon, ndërkohë që mban të zhdukur 1600 persona nga lufta e fundit në Kosovë, dhe refuzon ta njoh pavarësinë e republikës së dytë shqiptare. Kësaj Serbie mund t’ia kënaqin orekset me projekte si “Zona e Novi Sadit” vetëm politikanë shqiptarë që janë të kapur prej saj.

Lëvizja VETËVENDSOJE! synon nxjerrjen e Shqipërisë nga “Zona e Novi Sadit” dhe futjen në rrugën e integrimit kombëtar dhe europian. “Zona e Novi Sadit” nuk mbështetet as nga Kosova, as nga Bosnje Hercegovina as nga Mali i Zi, të cilat janë të kërcënuara drejtpërdrejt nga politikat agresive të Serbisë. “Zona e Novi Sadit” nuk ka lidhje me Procesin e Berlinit!

Nga ana tjetër, si masë imediate ndaj rritjes galopante të varfërisë, ne kërkojmë përcaktimin ligjor dhe zbatimin e minimumit jetik në Shqipëri si politikë kundër varfërisë.

Edi Rama i ka eleminuar qytetarët nga vendimmarja për këto çështje jetike për vendin. Ne angazhohemi që vendimmarrja t’i kthehet qytetarëve. Si hap i parë, ne do të nisim punën për të përgatitur nga ana juridike dy peticione qytetare, për ta nxjerr Shqipërinë nga “Zona e Novi Sadit” dhe për të përcaktuar dhe zbatuar minimumin jetik si masë imediate kundër varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve.

I themi jo mini-shengenit të Serbisë, dhe kërkojmë caktimin e minimumit jetik për Shqipërinë. Kërkojmë zhvillim dhe integrim, kombëtar dhe evropian!” shprehet Abazi.