Boçi: Gafa e Ministres së Arsimit, ende nuk e din që është shpallur gjendja e jashtëzakonshme!

377
Sigal

Ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi, deklaroi se ministrja e Arsimit Besa Shahini bëri gafë pasi deklaroi se shkollat do të hapen pas dy javësh, në një kohë kur vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Në një postim në ‘Facebook’, Boçi thekson se ministrja e Arsimit ende nuk e di që një vit shkollor është shumë i ndryshëm nga një vit akademik.

Sipas tij, fakti se Shahini pohoi se ende shpreson që shkolla të nisë në 6 prill, dëshmon kaosin dhe paaftësinë e qeverisë.

Reagimi i Boçit

Pas Ahmetajt dhe Besa nuk e di që është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Siç ndodh pothuaj gjithmonë, pas Ramës nxitoi të dilte dhe Besa me tufën e lajmeve të gëzueshme. Dhe përsëri si gjithmonë, përmes gafave ngatërroi më shumë se sa shpjegoi. Ministrja e Arsimit ende nuk e di që një vit shkollor është shumë i ndryshëm nga një vit akademik. Sikurse studenti për të nuk ndryshon nga maturanti. Po kjo është gafa më e vogël.

Pas Ahmetjat, i cili shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e mori vesh në studio, ka dhe ministra që ende nuk e kanë marrë vesh që një vendim i tillë është marrë. Një prej tyre është Besa.

Pyetjes për datat e provimeve të maturës e mundësinë e shtyrjes së tyre, Ministrja i është përgjigjur që ajo ende shpreson që shkolla të nisë në 6 prill!!

E çuditshme kjo deklaratë, dëshmi e kaosit e paaftësisë qeverisëse. Ministrja ende nuk e di që jemi në gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Gjendja e fatkeqësisë natyrore, sipas ligjit, minimalisht zgjat një muaj dhe shkollat kurrsesi nuk mund të fillojnë. E në vend të shpresojë, Besa duhet të jetojë me realitetin, se paku vendimmarrës hipokrit qeveritar e të marrë masat që tani për vijimësinë e mëtejshme të procesit mësimor.