Bledi Dervishaj: “Truk” magjistratësh dhe shqetësimi publik se në gjykata nuk të dëgjon njeri

120

“Vetëm 8 ditë më vonë pas dhënies së vendimit në shqip i sajdisur në çdo faqe me terma latine, një prej personave të ndaluar që kërkonte lirinë dhe që pretendoi përpara kësaj Gjykate se ishte dënuar më parë me vendim të formës së prerë për të njëjtin fakt dhe vepër penale, për fat të keq ndërroi jetë. Ky është një nga rastet që meriton hetim dhe verifikim të thelluar disiplinor nga organet që kanë për detyrë ta bëjnë ILD dhe KLGJ.”

Sigal

Lexova një vendim gjykate nga ato të Gjykatës Speciale/Posaçme mbi miratimin e një vendimi të shkallës së parë për vijueshmërinë e zbatimit të masës të sigurimit personal të “arrestit në burg”.

Më shastisi fakti se me çfarë “delikatese” gjykata i shmanget arsyetimit të detyrueshëm të saj mbi pretendimet e mbrojtjes. Mbrojtja parashtronte së kjo është “e zezë mbi të bardhë”, ndërsa gjykata arsyetonte se sa bukur dhe në unison janë shprehur kolegët (në Prokurori-Gjykatë) në shkallë të parë.

Mbrojtja parashtronte se e vërteta ështe krejt ndryshe nga sa parashtron Prokuroria duke i parashtruar prova, ndërsa Gjykata nën zhargonin latin të parimeve të së drejtës përpiqej t’i shmangej sa më shumë pretendimeve mbi themelin e kundërshtimeve të mbrojtjes.

Proces më të parregullt ligjor të realizuar nuk kisha ndeshur deri më tani. Jo vetëm aq, por tashmë shekuj të tërë jurisprudence ndërkombëtare hidhen poshtë nga një gjyqtar shqiptar.

Po për më tepër ngela i suprizuar me njohuritë e gjykatës mbi gjuhën latine. Sepse vetëm përdorimi i syzeve Romake me zhargon jurisprudence latinisht mund ta nxirrte gjykatën drejt një bindje të vetvehtes se e kam më mirë kështu. Këto shprehje më poshtë janë përdorur masivisht në vendim, që seç m’u desh që e lexova sot ditë pushimi.

  • Habeas Corpus Act· In vinculis· Spatium Temporis· Famus Commissi Delicti· Fumus Boni Iuris· Periculum Libertatis· Libertatis· Habeas Corpus ad Subiciendum· Ex Officio· Conditio sine qou non· Nullum Crimen, nulla poena sine lege· Extremia Ratio· In melius· Res Judicata

    “Nëse ajo ndërpritet kujt i vlen drejtësia? Një Gjykatë që nguron të japë drejtësi nuk i duhet askujt, as shtetit, as shoqërisë dhe as interesit publik, sepse dëmton rëndë imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut tek organet e saj.”

Duke studiuar këtë vendim gjykate, gjysëm latinisht e gjysmak në shqip natyrshëm një mori pyetjesh shpërthejnë:

– A u bë drejtësia cilësisht më e mirë nga përdorimi pa hesap dhe i panevojshëm i këtyre shpehjeve?

– Çfarë vlere bindëse ka për publikun dhe palët përdorimi i shprehjeve latinisht, sidomos kur duhet të vlerësohen një për një dhe rast pas rasti plotësimi ose jo i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masave të sigurimit personal?

– Po kur masa e sigurimit sipas ligjit është personale dhe lidhet me personalitetin e subjektit përse vlerësohen dhe gjykohen në grup disa persona nën hetim që nuk janë në bashkëpunim me njeri tjetrin?

– Mos kjo mënyrë përdoret që faktet e njërit prej personave t’i ngarkohen edhe të tjerëve ?

– A mos po lexoj tekstin e ndonjë temë diplome apo projekt-doktorature të lënë përgjysëm apo një vendim gjykate prej së cilës pritet dhënia e drejtësisë?

– Gjykata me vendimin e saj ka tentuar të bindi veten se ka dhënë një vendim të drejtë? Apo po tenton të bindë lexuesit e tjerë se, gjykata është njohëse e parimeve themelore të së drejtës thënë aq bukur në latinisht nga romanët e lashtë?

– Mos ka parregullsi në hetimin penal, në vlerësimin dhe ngritjen e akuzës nga Prokuroria, që mund të tejkalohen vetëm përmes teorive të së drejtës të shprehura në latinisht!?

– Mos kemi të bëjmë me një “truk” magjistratësh për të përplotësuar boshllëkun e vendimmarrjes së tyre, apo të arsyetimit mbi themelin e kërkimeve të mbrojtjes, apo për të çoroditur sadopak personin të cilit i është hequr liria, aq sa të bindi veten se drejtësia symbyllur e Romës së lashtë ka zbritur në Shqipëri?

Sinqerisht, më ka çuditur ky rast! Ajo që është dhe më shqetësuese ështe fakti se nuk është rast i izoluar, por duket si qasje e përgjithshme e disa magjistratëve, që kur nuk munden apo nuk duan të arsyetojnë drejtpërdrejt mbi pretendimet e palëve, zgjidhjen e gjejnë tek latinishtja, që të duket sikur thuhet shumë, por praktikisht nuk është thënë asgjë.

Kjo situatë ka rritur ndjeshëm shqetësimin publik se në këto gjykata nuk të dëgjon njeri. Aty respektohet formalisht procedura dhe kjo në dukje, por përmbajtja dhe vendimarrja është në unison me Prokurorinë, në disa raste dhe me të njëjtat gabime ortografike si në kërkesën e kësaj të fundit. Ndoshta duke qenë dhe fizikisht afër në të njëjtën godinë shkëmbimi i materialit elektronikisht është edhe më i thjeshtë.

Megjithatë është i pamohueshëm fakti se, vetëm 8 ditë më vonë pas dhënies së këtij vendimi në shqip i sajdisur në çdo faqe me terma latine, një prej personave të ndaluar që kërkonte lirinë dhe që pretendoi përpara kësaj Gjykate se ishte dënuar më parë me vendim të formës së prerë për të njëjtin fakt dhe vepër penale, për fat të keq ndërroi jetë.

Ky është një nga rastet që meriton hetim dhe verifikim të thelluar disiplinor nga organet që kanë për detyrë ta bëjnë ILD dhe KLGJ.

Sepse një Gjykatë që nguron të japë drejtësi nuk i duhet askujt, as shtetit, as shoqërisë dhe as interesit publik, sepse dëmton rëndë imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut tek organet e saj.

Asgjë nuk është më e rëndësishme se vet JETA! Nëse ajo ndërpritet kuj i vlen drejtësia? Të gjitha të drejtat, por dhe detyrimet ekzistojnë dhe përmbushen kur jetojmë.