Beteja për Kushtetuesen, qesharake, e stisur dhe pa sens

664
Sigal

Intervist me konstitucionalistin Sokol Hazizaj/ Gjykata Kushtetuese, pa Gjykatën e Lartë do të funksionojë si organ ”ad-hoc” nën presionin politik të mazhorancës. Loja me numrat dhe llojshmërinë nga KED, urdhërimi kushtetues dhe i qartë i nenit 129 të Kushtetutës, qëndrimi i saktë i kreut të shtetit dhe pasiguria ku është zhytur vendimarrja e KQZ-së

Sokol Hazizaj, konstitucionalist

Kuptohet qartë se aktorët politikë edhe kësaj radhe, si gjithmonë në mënyrë qesharake, vendosin organet e Drejtësisë në ngërç kushtetues dhe ligjor, deri sa të gjejnë kompromisin me njëri tjetrin në kurriz të shërbimit ndaj drejtësisë

Gjykata Kushtetuese, pa Gjykatën e Lartë do të funksionojë si organ “ad-hoc” nën presionin politik të mazhorancës

 

Jakup B. GJOÇA

Gazetar i “Telegraf”

Sokol Hazizaj, konstitucionalist, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet, se ngërçi për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është në betejë idiote, e stisur. Kushtetuta e përcakton qartë radhën e zgjedhjen së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe çdo interpretim tjetër, ku prevalon mbi afatin mbi mënyrën se si zgjidhet organi i Gjykatës Kushtetuese është qesharak. Zoti Hazizaj thotë, se Ulsi Manja si kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, lapsuset e mëdha nuk i bën nga padija, por sepse kështu e urdhëron udhëheqësi i tij. Konstitucionalisti Hazizaj, shpjegon se Presidenti i Republikës nuk e ka “ngrirë” KED-in, por, ndryshe nga KED-i, është orientuar të drejtojë kandidatët e miratuar nga ai. Zoti Hazizaj e argumenton se reforma në Drejtësi ka dështuar totalisht, dhe sjell argumentin se të gjitha organet e reja të Drejtësisë, sikurse KED, KLGJ, KLP, që janë krijuar deri tani janë të konstetueshme përballë ligjit. Duke iu referuar ngërçit të 30 qershorit, që ende 2 bashki nuk kanë më kryebashkiakë, pas shkarkimit të atyre që u zgjodhën në 30 qershor si persona me rekorde kriminale, e për këtë arsye zoti Hazizaj thotë se situata është tepër qesharake.

 

-Zoti Hazizaj, ku qëndron thelbi i ngërçit President -KED – Parlament në përzgjedhje dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?

– Kjo është një betejë idiote, e stisur dhe pa sens. Zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese realizohet si pasojë e urdhërimi kushtetues dhe shumë të qartë në nenin 129 të Kushtetutës, ku thuhet se: “1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar”. Nisur nga ky kuptim, çdo përpjekje për të lëvizur nga drejtëza ku tre organet prodhojë tre kandidatura, sipas radhës së sipërcituar në Kushtetutë është jo normale. KED në vështrimin administrativ ka vetëm një detyrim, i cili vjen për pasojë të vakancës/kërkesës së organit që të drejtën të zgjedh anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Mosplotësimi këtij detyrimi është jo kushtetues, fakt i cili konstatohet nga Presidenti, që nga ana e tij mundet të lëviz në zgjidhje të situatës jo normale, duke plotësuar nga vendet që i takojnë. Dhe kjo e fundit është e sforcuar, por nisur nga karakteri jo normal i kohës që enden organet kushtetuese, mund të vihet në lëvizje pasi mbarojnë afatet e organeve të tjera. Gjithsesi, kuptohet qartë se aktorët politikë edhe kësaj radhe, si gjithmonë në mënyrë qesharake vendosin organet në ngërç kushtetues dhe ligjor, deri sa të gjejnë kompromisin me njëri tjetrin në kurriz të shërbimit ndaj drejtësisë. Çdo interpretim tjetër, ku prevalon mbi afatin mbi mënyrën se si zgjidhet organi i Gjykatës Kushtetuese është qesharak.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Usi Manja deklaroi se të hënën Parlamenti do votojë kandidatin e dytë që KED i ka propozuar Presidentit, edhe pse Presidenti i ngrin KED procedurën e emërimet të anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, Ngaqë radhë e ka Parlamenti. A është Kushtetues ky votim në Parlament, derisa Presidenti nuk e dekreton?

Duket qartë se mazhoranca e sotme i bie më tepër një vije melodike “hip-hop” se sa një muzike ku notat shkojnë sinkron. Kjo nuk është e rastësishme, kur bëhet fjalë për detyrime kushtetuese dhe ligjore. Nuk mendoj se (Usi Manja) kryetari i komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë të jetë i imponuar nga padija për të bërë lapsuse kaq të mëdha, por është i detyruar politikisht t’i bjerë të njëjtave saze që i bien udhëheqësit e tij. Ndërsa nga një vështrim tjetër konstatoj se Presidenti i Republikës nuk e ka “ngrirë” KED-n, por ndryshe nga çfarë është përpjekur ky organ i fundit, pra KED-ja të bëjë, është orientuar të drejtojë kandidatët e miratuar prej saj, ndonëse e kufizuar sa i përket numrit dhe llojshmërisë së tyre.

-A është funksionale Gjykata Kushtetuese, edhe sikur të plotësojë Presidenti 3 anëtarë e Parlamenti 3 anëtarë, pa u ngritur më parë Gjykata e Lartë, e cila sipas Kushtetutës emëron e treta anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetues?

– Ndryshimet e fundit të ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese, përpikërisht neni 32 dhe vijues i tij saktësojnë që kolegji, mbledhja gjyqtarëve dhe seanca plenare kërkojnë minimumin e 2/3 të gjyqtarëve për të filluar aktivitetin e tyre. Në këtë kuptim, mund të themi se Gjykata Kushtetuese vihet minimalisht në funksion, ndonëse në një vështrim tjetër ngarkesa për shqyrtimin e çështjeve pranë saj ka të njëjtën ngarkesë thuajse sa Gjykata e Lartë. Duhet pranuar se Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, por nga mënyra se si ngrihet dhe organizohet varet shumë prej saj. Pra si përfundim, duhet pranuar që dhe në mungesë të përfaqësimit të anëtarëve nga Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese do të funksionojë si organ “ADN-koc” nën presionin politik.

-Si trajtohet me frymën e Kushtetutës marrëdhëniet e ngërçit President- KED- Parlament?

– Situata kushtetuese në të cilën ndodhemi, veçanërisht kur lidhet me funksionimin e Gjyqësorit nuk mund të jetë ndryshe nga territori, apo mjedisi politik në vend. Në këtë kuptim, është fare normale të pranosh se në tryezën e bisedimeve ndodhen të njëjtët aktor njerëzor dhe politik si më parë, duke filluar nga KED-ja, përbërja e saj, ekzistenca e një parlamenti jo funksional kushtetushmërisht dhe qenies së një presidenti konfliktual me ligjin jo rrallë herë. Përpos këtyre faktorëve, është e pakët të pohosh ngërçin si simptomë apo lloj pengese, si dhe nuk është e ekzagjeruar të pranojmë që ndodhemi pranë fundit të tunelit të së keqes, veçanërisht kur flitet për të drejtën.

-A ka besueshmëri procedura e përzgjedhjes së anëtarëve për në Gjykatën Kushtetuese kur në listat e KED dhe të Parlamentit janë të njëjtët? Pse nuk ka emra të tjerë?

– Situata në të cilën ndodhet Drejtësia në përgjithësi është e përafërt me katarsisin estetik si fenomen, që do të thotë se nuk mund të vlerësosh të bukurën kur e shëmtuara po të zë frymën. Këtij ambienti agresiv kur o shton dhe negatitivitetin e frymës qeverisëse ndaj saj, produkti do jetë o i rastësishëm, o i dobët, ose fertil. Kjo panoramë shfaqet dhe mendohej të shfaqej dhe pas miratimit të ligjeve të reformës, ndaj dhe jemi të vonuar në çdo proces. Sot nuk po mendohet ose nuk është impenjim karakteri cilësor i organeve të Drejtësisë, por ngritja e tyre ashtu kështu. Mjafton një konstatim sipërfaqësor mbi organet e ngritura të Drejtësisë, si pasojë e ligjeve të reja, konstaton se të gjitha janë të kontestueshme përball tablateve të reja ligjore, duke filluar që nga KED, KLGJ, KLP. Madje duhet pranuar se çdo përpjekje për t’i dhënë dritë të tillë pengesave konsiderohet si armiqësi. Shihni çfarë ndodh, mjafton të bëj me dije se ndonëse organi procedural i hetimit dhe gjykatat kanë filluar të ndihen në pamundësi funksionimi, brezi i fundit të magjistratëve prokurorë dhe gjyqtarë ende nuk kanë filluar punë, ose ndryshe nuk janë emëruar prej KLP-s dhe KLGJ-s. Po ka më situatë qesharake se kjo? Ç’mund të flasësh më pas për besueshmëri ndaj KED-s apo organeve të tjera. Megjithatë, që të identifikohet çka thamë më sipër, duhet domosdoshmërish të kurorëzohet një “projekt perceptimi” nga organizata jofitimprurëse inekzistente për të artikuluar dëmet që po i vijnë drejtësisë nga mos funksionimi i organeve me shkak polarizimin politik dhe artikulimin e të vërtetës.

Sa të pranueshëm do të jenë anëtarët që do të përzgjidhen dhe votohen nga parlamenti për Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, kur Opozita nuk është në Parlament? A nuk do të ketë akuza që këta anëtarë janë të preferuarit e Kryeministrit?

– Parlamenti sot është një shtëpi që fryn nga të gjitha anët. Vetëm themelet dhe karabinaja qëndron në këmbë. Ai është i pambushur me të zgjedhur, pra funksionon siç do, ose po funksionon Gjykata Kushtetuese, apo Gjykata e Lartë, dhe siç më pas, shumë shpejt do të funksionojnë Gjykatat e Apelit. Pra jemi në një gjendje letargjie vijuese, ende pa dhënë shpresë ilaçi/reforma. Kjo situatë nuk është për pasojë vetëm të mazhorancës, por dhe veprimeve drastike të opozitës, ndonëse me të drejtë. Sa i përket akuzave ndaj të zgjedhurve në Gjykatën Kushtetuese dhe faktit se janë apo nuk janë të kryeministrit, mendoj se ky opinion është shumë relativ. Koha ka treguar se sado të dobët apo fortë, të zotë të kenë qenë anëtarët e gjykatave, sërish vjen një moment që ligji nuk të lejon ta shkelësh haptazi për shkak të një ndihme që mund të kenë dhënë, dhe nga ana tjetër koha ka provuar që gjyqtarët janë si lulja e diellit, kthejnë faqen nga dielli radhës, siç janë dhe tani.

Zoti Hazizaj, ngërçi i zgjedhjes së Kryetarit të ri në Bashkinë e Shkodrës dhe tani në Vorë është pasojë e boshllëkut kushtetues në Kodin Zgjedhor?

– Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, si dhe legjislacioni për organizimin e qeverisjes vendore sigurojnë hapësirat ligjore të mundshme që të ketë mundësi qytetari Shkodran dhe ai Vorak të zgjedhin një alternative ndryshe nga zgjedhjet e 30 qershorit. Por duke qenë se procesi i sipërcituar nuk pruri zgjidhje dhe zgjedhje sipas kapitullit kushtetues të lirive dhe të drejtave politike, organizimi i zgjedhjeve në këto dy bashki nuk do të krijonte mundësinë e përmirësimit të klimës politike dhe sigurisht kushtetuese gjithashtu. Ndaj organet kushtetuese, siç presidenti dhe qeveria qëndrojnë në skaje të ndryshme sa i përket zgjedhjeve të pjesshme. Nga ana tjetër, lënia pa kryetar dhe pa mundësi zgjedhje të dy bashkive duket se është tërësisht jashtë interesave të qytetarëve, por brenda mentalitetit politik konfliktual që sundon në vendin tonë. Për më tepër, çfarë konstatoj duket qartë se palët politike kanë rënë në ujdi të fshehtë që zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore do të jenë të përbashkëta dhe sa më afër vitit 2021, me qëllimin që mazhoranca politike t’i mbarojë “ca punë”, por dhe emocioni i opozitës farsë të jetë i kënaqur që do realizohen një palë zgjedhje të parakohshme.

-A duhet pritur deri sa Gjykata Kushtetuese ( kur ajo të ngrihet e pastaj të gjykojë padinë ndaj 30 qershorit 2019) që të zgjidhen Kryebashkiakët e rinj?

– Patjetër që Gjykata Kushtetuese do të vendos sa i përket ankimit pranë saj në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Por ky vendim nuk është se do të jetë i pandikuar nga politika, pa paragjykuar atë në formë dhe përmbajtje. Madje, pse jo, aktorët politikë do përpiqen të çojnë gjithë vëmendjen pranë Gjykatës Kushtetuese, për të kapur në forma “ligjore” dhe ato pak pasuri publike që janë lënë pa përvetësuar nga e ashtuquajtura “korporatë”. Në mënyrë ironike, s’po kuptoj pasigurinë e KQZ “për të shpallur dhe organizuar zgjedhjet në Shkodër dhe Vorë”, sepse në mënyrë jo kushtetuese dhe ligjore ata e kanë marrë “të drejtën të organizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Situatë si kjo, ku ndodhemi, është kaq qesharake sa që vetëm në vende ku organizimet fisnorë gjenden të barasvlershme me situatën e krijuar në 30 qershor dhe më pas.

-Zoti Hazizaj, që procesi zgjedhor të këtë besueshmëri a duhet që kryetarët e komisioneve Zgjedhore dhe numëruesit të jenë gjyqtarë ( siç ndodh në vendet evropiane) dhe jo nëpunësit e shtetit apo militantë partie? Dhe pse partitë nuk pranojnë këtë zgjidhje?

– Ideja e krijimit të një administrate zgjedhore apolitike duhet vlerësuar si moment pozitiv, siç dhe nisma për numërimin elektronik të votave, siç është kërkuar nga opozita në zgjedhjet e ardhshme. Po kështu, sot nga ndryshimet e fundit të ligjit elektoral është garantuar dhe zhvendosja e administratës publike nga e drejta apo detyrimi për të qenë në administratën zgjedhore, që prej vitit 2000 dhe 2003. Që kur dy ekspertët rilindës/pavarur pranë Komisionit të Reformës sot ishin pjesë e ekspertëve të PD atëherë. Në këtë kuptim, nuk ka vlerë që të rikthehesh pas kaq vitesh në një fenomen që ka gjetur zgjidhje. E ashtuquajtura reformë zgjedhore, përveç se realizon ofrimin e opozitës në institucione dhe rritjen e numrit të dispozitave të Kodit Zgjedhor, nuk do ketë as një vlerë për qytetarin. Në Perëndim dhe më tej ka eksperienca të panumërta të mënyrës së menaxhimit dhe numërimit të votave, po dhe të administrimit alternativ të zgjedhjeve, por nuk duhet harruar që atje, përtej nesh, ekziston vullneti politik për t’u përballur me rezultatin dhe humbjen.

-Faleminderit!