Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, në një postim të tij në Facebook,ka folur për projektin me fokus social dhe ekonomik, të quajtur “Një çati për çdo çift”, i cili parashikon 30 mijë euro ndihmë financiare për çdo çift të ri që blen banesën e parë.
Sipas tij, kjo nismë synon të mbështesë brezin e ri, të frenojë emigracionin dhe të lehtësojë aksesin në pronësi të banesave për të rinjtë.
Sipas deklaratës së Xhaferrit Projekti është pritur pozitivisht nga shumë të rinj, përfshirë edhe nga radhët e të rinjve socialistë.
Ai theksoi se ky është një reagim ndaj vështirësive që sipas tij janë krijuar nga çmimet e larta në tregun e ndërtimit.
Postimi i plotë:
30 mijë euro për shtëpinë e parë! 💰 Të rinjtë e PS kanë shkruar masivisht dhe na kanë përgëzuar!
Projekti ynë “Një çati për çdo çift” ofron 30 mijë euro për çdo çift të ri që do të blejë shtëpinë e parë, dhe është përqafuar masivisht nga të rinjtë dhe shqiptarët. Ky projekt ka si qëllim të ndalojë eksodin dhe të ofrojë mundësi për ata që dëshirojnë të ndërtojnë një të ardhme këtu.
Projekti i Edi Ramës për pastrimin e parave në ndërtim i privoi të rinjtë nga mundësia për të blerë një pronë , por tani po kthejmë mundësinë për të gjithë!
Ky projekt është marrë nga Hungaria, ku ka rezultuar shumë i suksesshëm, dhe tani po e sjellim në Shqipëri për të mbështetur brezin e ri!