Berisha: Stefan Fule, diplomat serbofil; Balla: Përroi psikik i Sali Berishës ka dalë nga shtrati

451
Sigal

Qershori po afron, vendi përsëri rrezikon një “JO” për herë të tretë, për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE

Në një opinion të shkruar në shumë rreshta, ku analizon gjerësisht të gjithë rrugën euro-atlantike të Shqipërisë, Ish- Kryeministri Sali Berisha, shprehet se vendi ynë mund të rrezikojë për herë të tretë të mos marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Berisha shkruan se, qershori po afron dhe vendi përsëri rrezikon një “JO”. Ish-Kryeministri shprehet me nota tejet negative për qeverinë Rama, ku e akuzon për qëndrime dhe vendime në kundërshtim me standardet evropiane, çka sipas tij kanë sjellë bllokimin e procesit të integrimit. Ai shprehet se, historia e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO tregon se gjatë këtyre 23 viteve, PD ka qenë dhe mbetet lokomotiva e integrimit të vendit kurse, Edi Rama dhe PS në pushtet ose në opozitë ka bërë gjithçka për bllokimin e proceseve të integrimit. Berisha thekson se, kryeministri Rama nuk ka interes integrimin, por pushtetin personal. “Qershori po afron. Përsëri rrezikojmë “JO”-në e tretë. Historia e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO tregon se, gjatë këtyre 23 viteve, PD ka qenë dhe mbetet lokomotiva e integrimit të vendit, kurse Edi Rama dhe PS në pushtet ose në opozite ka bëre gjithçka për bllokimin e proceseve të integrimit. Kështu, pas zgjedhjes së Presidentit konsensual në vitin 2002, Komisioni Europian vendosi të hapen negociata për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Shqipërinë. Mirëpo, për shkak të qëndrimit të qeverisë ndaj zgjedhjeve lokale të vitit 2003, shkalles së lartë të korrupsionit në nivelet më të larta dhe krimit të organizuar të lidhur me qeveritaret, negociatat, ndonëse kaluan mbi tre vjet nga fillimi i tyre, nuk u mbyllën. Qeverisë socialiste nuk i besonte njeri. Rama refuzoi t’i votojë ligjet deri në 31 maj të vitit 2013 dhe bllokoi statusin e vendit kandidat. Përsëri në tetor të vitit 2013 Komisioni Europian rekomandoi dhënien pa kushte të statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Por statusi sërish u refuzua sepse pas ardhjes në pushtet Rama – Meta ndjekin axhendën e pushtetit të tyre personal. Me revanshin e tyre ata po rrezikojnë përsëri statusin në qershor. Akuzat e Ramës ndaj udhëheqësve europian, pasi ai vet ka bllokuar procesin dy vite me radhë, janë idioteske dhe qesharake. Për Ramën, integrimi është pothuaj mision i pamundur”,-shkruan ish-Kryeministri Berisha. Ndër të tjera, ish-Kryeministri e cilëson komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fule si një diplomat serbofil. Sipas tij, vendosja e tre ligjeve si kusht për integrimin, ishin një kurth i Fules. “Ndonëse unë nuk besoj në teorinë konspirative, kushtin e tre ligjeve e kam konsideruar një kurth të Stefan Fules, Komisioner i Zgjerimit, (një diplomat çek i shkollës ruse dhe serbofil, por i papërmbajtur dhe majtist i thekur), për të bllokuar me Edi Ramën, Shqipërinë, në procesin e integrimit. Madje edhe sot, mendoj se kjo mundësi nuk përjashtohet. Dyshimet e mia tek ky kurth nuk ishin pa baza. Kjo sepse, ky ishte një kusht që nuk i ishte vendosur kujt ndonjëherë, dhe në legjislacionin tonë nuk kishte boshllëk ligjor për këto tre ligje”,-shkruan ndër të tjera Berisha në “Facebook”. Lidhur me këtë analizë, ka reaguar deputeti i PS-së, Taulant Balla, i cili i ka kërkuar Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, të kërkojë falje për sulmin e Berishës ndaj komisionerit europian. “Nuk ka më asnjë dyshim se, përroi psikik i Sali Berishës ka dalë nga shtrati normal prej vitesh. Por tani që është shkarkuar nga populli nga detyra e Kryeministrit, de jure edhe nga detyra e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha po fyen çdo institucion ndërkombëtar apo vend partner të Shqipërisë. Sulmi i hapur me akuza të turpshme kundër Komisionerit për Zgjerimin dhe Politikes me Fqinjët zotit Stefan Fule është i papranueshëm. Basha, nëse ti je Kryetar i Partisë Demokratike, duhet të kërkosh ndjesë për këtë sulm enverist kundër një eurofili shumë të respektuar si Stefan Fule”,- shkruan deputeti Balla në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook.” Sipas Ballës, ne shqiptarët dhe ballkanasit në tërësi duhet t’i jemi mirënjohës zotit Fule për qëndrimin e tij të qartë në mbështetje të zgjerimi të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor. “Si nuk ka frerë në gjuhen e vet ky deputet i Partisë Demokratike, i cili me një retorikë të shkollës së vet hoxhiste, të vjellë kaq vrer kundër një europeisti të nderuar? Sot, nuk dua t’i bëj thirrje këtij anëtari të Kuvendit të Shqipërisë t’i kthejë mbrapsht këto akuza të turpshme”,- përfundon Balla shkrimin e tij.