Berisha: Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën i ri e re sepse është armiku më i egër i tyre

27
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën si njeriu që ka instaluar në Shqipëri diktaturën e bandave, e cila është më e rrezikshmja për një vend.

Sipas Berishës, Rama në këto 10 vite të qeverisjes së tij, i ka ofruar të rinjve shqiptarë vetëm një aleternativë, atë të largimit nga vendi, pasi nga viti 2013 e deri më sot, ne kemi mbi 500 mijë të rinj më pak.

Berisha: Dhjetori i vitit 1990 sot është histori sepse sot në Shqipëri është vendosur një diktaturë, një diktaturë jo e bazuar në ideologji. Do u rikujtoj një krahasim.

 Në treguesit e zbatimit të ligjit, Shqipëria është më poshtë se Vietnami i cili është një diktaturë komuniste, shtet monist, shtet në të cilin monopoli i pushtetit i përket Partisë Komuniste të Vietnamit.

Në Shqipëri nuk ka një ideologji marksiste por në Shqipëri është instaluar një diktaturë e bandës, drogës, e krimit. Ju i ndiqni këto proceset gjyqësore, dosjet ‘Metamorfoza’. Çfarë janë ato? Ato janë një miksturë, një përzierje qeveritarë bandash, bandash qeveritarësh. Nuk dua të ndalem në përshkrimin e kësaj diktature që është më e keqja e diktaturave.

Dua të ndalem në një moment sot, ju e patë se si kryeministri i vendit në një fjalim euforik sikur ishte në mbidoza, foli për çdo gjë, për satelitë, për yje, për Hënën, për Inteligjencën Artificiale, por nuk tha njëherë një fjalë për ju të, nuk shqiptoi një herë të vetme, fjalën i ri e re. Pse nuk e bëri këtë? Sepse nuk goxon. Se ai e di që në histori ai është armiku më i egër i të riut shqiptar si i tillë.

Është i tillë sepse në këto 10 vite të qeverisjes së tij, ne kemi mbi 500 mijë të rinj më pak seç kishim. Në këto 10 vite të qeverisjes së tij, ka ndodhur ndryshime dramatike të strukturës demografike të kombit. Në vitin 2013, 50% e shqiptarëve ishin nën moshën 24 vjeç, sot janë vetëm 30%. Pra me të gjitha politikat e tij, ky ofron si alternativë te vetme për të rinjtë, largimin nga Shqipëria. Foli sot 1 orë për Inteligjencën Artificiale dhe u përpoq të bindte shqiptarët, se ne me IA do e përdorim për përkthime të ligjeve europiane, do integrohemi në Europë.