Monika Kryemadhi: Protesta jo e partive, por e qytetarëve që duan një të ardhme më të mirë

503
Sigal

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me strukturat e LSI-së Tiranë, në prag të protestës së ditës së nesërme. Kryemadhi tha se kjo protestë nuk do të jetë e partive, por do të jetë një protestë e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, të cilët duan një të ardhme më të mirë për ta dhe fëmijët e tyre. “Protesta e nesërme nuk është as protestë e LSI-së, as e PD-së, por është një protestë e qytetarëve të Tiranës, por edhe e gjithë qytetarëve të Shqipërisë që janë të gatshëm për të ardhur dhe për të protestuar. Sot qytetarët nuk kanë ndërmend të gjejnë armikun e klasës, as nuk kanë ndërmend të gjejnë imperializmin dhe revizionizmin, por mbi të gjitha qytetarët e Tiranës sot kanë ndërmend të garantojnë të ardhmen fëmijëve të tyre, të garantojnë mirëqenie për familjet e tyre, të garantojnë arsim të barabartë për fëmijët e tyre, të garantojnë shëndetësi të denjë për veten e tyre, të garantojnë një ekonomi të fortë, të garantojnë punë dhe mbi të gjitha të garantojnë siguri për të ardhmen e fëmijëve dhe për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Kryemadhi theksoi gjithashtu se beteja e opozitës nuk është me uniformën e policisë dhe me institucionet e shtetit shqiptar, por është një betejë kundër krimit të organizuar. “Beteja jonë nesër nuk është as me uniformën e policisë, as me godinën e Kryeministrisë dhe as me godinat e shtetit shqiptar. Të mos harrojmë që ata që vuajnë njëlloj si ne dhe si gjithë shqiptarët janë motrat dhe vëllezërit tanë që kanë gardhin rrethues që duhet të mbrojnë një kryeministër të ikur. Të mos harrojmë që godina dhe dhuna që ushtrohet ndaj tyre përsëri paguhen me paratë e taksapaguesve tanë. Mos harrojmë që çdo dhunë nuk i jep vlerë protestës, por përkundrazi i jep rolin e viktimës Edi Ramës. Edi Rama nuk është viktima. Viktima janë shqiptarët. Edi Rama është emri dhe fytyra e krimit të organizuar dhe beteja jonë e pandalur dhe pa asnjë kompromis, nuk është as me Partinë Socialiste, nuk është as me institucionet e shtetit shqiptar. Beteja jonë është me krimin e organizuar, i cili ka fytyrën dhe emrin e Edi Ramës dhe kjo betejë nuk do të ndalet deri sa të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.