Berisha: Peng-opozita abstenoi ndaj borxhit 700 mln euro të hajdutëve

189
Sigal

Lideri historik demokrat, Sali Berisha, foli nga Pogradeci për çështjen e borxhit të lartë në vend. Ai e quajti të paimagjinueshëm faktin që opozita abstenoi ndaj këtij borxhi.

“Shqiptarët largohen nga ky vend sepse nuk ndërtojnë dot jetën e tyre. Largohen sepse kreu i Meduzës, Edi Rama, vret te ata shpresën dhe besimin se ky vend mund të bëhet. Edi Rama e zëvendësoi shtetin ligjor me narkoshtetin apo shtetin e mafias. Ndërtoi shtetin ku çdo për çdo vendim vendos mafia dhe vetëm mafia. Trafikantët diktojnë ligjet në parlament. Ata emërojnë ministra në qeveri, madje edhe dy herë njëri pas tjetrit. Korrupsioni është bërë lubi në këtë shtet. Ka pasur korrupsion edhe më parë, por u garantoj ju se korrupsioni i mëparshëm nuk krahasohet në asnjë dimension me korrupsionin e sotëm.

Dua t’ju jap dy shembuj. Konservatorët për të luftuar korrupsionin përdorin dy armë: së pari qeveri të vogël, sa më e vogël qeveria, aq më shumë zvogëlohet korrupsioni. Së dyti, transparenca. Çfarë ka ndodhur këto dy vite? Numri i rrogëtarëve dhe të agjencive shtetërore është dyfishuar. Janë shumëfishuar tenderat sekrete, që janë vetëm vjedhje. Në kulmin e pandemisë kjo qeveri firmosi kontrata miliardashe. Vetëm për djegësat janë firmosur kontrata prej 420 milionë euro. Ndërkohë që plehrat i djegin dhe u çojnë helmin qyteteve. Kudo mafia qëndron në krye të plehrave,” tha Berisha.

“Çfarë ndodh në këtë narkoshtet? Vjedhja e mundit dhe djersës suaj është ligji i parë dhe themelor. Rama e mori Shqipërinë me një borxh prej 62.6 përqind dhe e ka çuar atë në 100 përqind dhe ekonomia shqiptare rrezikon të shembet si një piramidë. Borxhi i shtetit është si borxhi i një individi. Ai mendon se si do i kthejë ato dhe si do investojë. Kur shteti merr një borxh, kthimin e bëni ju. Nuk kthejnë gjë ministrat. Nuk paguan kryeministri. Këtë vit mori një borxh prej 700 milionë euro. Në mënyrën më të habitshme, më të paimagjinueshme, kreu pa parti, urdhëroi abstenimin. Po a mund të abstenojë opozita ndaj një borxhi që marrin hajdutët në qeveri prej 700 milionë euro? Kurrë, përveçse një peng-opozite”.