Berisha: PD kaloi nga humbja në humbje vetëm prej Lulzim Boshit

263
Sigal

Në ceremoninë e organizuar me rastin e ‘8 Dhjetorit’, lideri historik demokrat, Sali Berisha, tha se PD kaloi këto tetë vite nga humbja në humbje për shkak të Lulzim Bashës.

“Në 3 dekada, Shqipëria shënoi ndryshime nën drejtimin e qeverisë së PD sa asnjë vend tjetër në Europë dhe më gjerë. Nga vendi më i izoluar në planet, u anëtarësua në Këshillin e Europës dhe në NATO. Shqipëria kaloi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta.

Shqipëria bëri hapa gjigante drejt BE-së. U bëmë vendin me rrogat dhe pensionet më të larta në rajon. Transformime të mëdha dhe të gjithanshme pësoi infrastruktura fizike dhe dixhitale. Ritmet e zhvillimit të Shqipërisë ishin ndër më të shpejtat.

PD dorëzoi pushtetin me zgjedhje në vitin 2013 dhe kaloi në opozitë. Në pushtet erdhën ata që u përmbysën me votën e lirë në 22 mars 1992. Erdhi Edi Rama, që në dhjetor të vitit të ‘90-ës, kur sapo filloi lëvizja studentore, ia mbathi në Korfuz dhe u kthye kur mbaroi gjithçka. Këto tetë vite, me lidhjet e tmerrshme me krimin, me nostalgjinë për etërit e tij, zhbëri në mënyrë kriminale arritjet e mëdha dhe të njëpasnjëshme të shqiptarëve,” tha Berisha.

“Demokratët kaluan nga një humbje në humbjen tjetër, jo për shkak të tyre, por krejtësisht për shkak të njeriut, që pas 8 vitesh meriton të quhet aspak dhe as më shumë se Lulzim Boshi ose Peng-Kryetari.

Në keto tetë vite, shqiptarët u larguan nga Shqipëria njëlloj si në vitin 1991. Regjimi në pushtet vriste shpresën çdo sekondë dhe minutë. Shqipëria, një vend i bekuar me pasuri përrallore dhe potencialin e saj, me inteligjencën e njerëzve, u bë vendi i shpresës së munguar. U bë vendi i dëshpërimit dhe pesimizmit.

Këto erdhën pasi në 8 vite, PD pushoi së qenuri ajo që ishte. Drejtuesi i saj preu një nga një kolonat mbi të cilat ajo ishte ngritur, parimet mbi të cilat ajo qëndronte. Nëse sot themi se Edi Rama është armiku më i egër i pluralizmit, armiku më i egër i demokracisë në Shqipëri, Lulzim Basha është tradhtari më i madh i tyre,” theksoi Berisha.