Berisha nga Roskoveci: Ne ndihmojmë biznesin, jemi partia e taksave të ulëta

129
Sigal

Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal këtë pasdite në Roskovec, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Erdit Hazizaj.

Në fjalën e tij, lideri i opozitës u shpreh se PD dhe partitë aleate përmes primareve vendosën standardet më moderne të përfaqësimit të qytetarëve.

Duke kërkuar votën e qytetarëve për Erdit Hazizajn, Berisha premtoi taksa të ulëta dhe ulje të barrës fiskale ndaj bizneseve.

Të dashur banorë, qytetare dhe qytetarë, banorë të Roskovecit, një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju këtu, banorët e Roskovecit kudo që janë sot dhe një lloj falënderimi të veçantë Majlinda Bufit që na nxori në shesh, se pallati nuk do të na nxinte, e jemi të gjithë bashkë.

Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj për këtë pritje të zjarrtë. Shpreh kënaqësinë e madhe që kam, të paraqes para jush kandidatin për kryetar të ardhshëm të Bashkisë së Roskovecit, Erdit Hazizajn, një nga bijtë tuaj më të mirë, më të aftë, më të ndershëm, kandidat i cili së bashku me 60 kandidatët e tjerë të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në mbarë vendin nuk janë më kandidatë të kryetarit të partisë, të kryesisë së partisë, por janë kandidatë të votës tuaj, të besimit tuaj, janë kandidatë të lirisë dhe kjo përbën një risi të një rëndësie të jashtëzakonshme me të cilën ne lamë mbrapa dhe shkëputemi nga një praktikë përfaqësimi dhe vendosim standardet më moderne të përfaqësimit të qytetarëve.

Vendosim dinjitetin e tyre, vullnetin e tyre në piedestalin që meriton. Unë ju garantoj ju se Erdit Hazizaj, me përkushtim të madh, me ndershmëri, aftësi do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar jetën tuaj, për të përmirësuar kushtet e jetës tuaj. Do të përdorë me transparencë të plotë para secilit prej jush, çdo qindarkë të taksave tuaja.

Do të bëjë gjithçka në përputhje me programin e partisë që i përket, për suksesin e femrave dhe të biznesit në këtë bashki. Ne jemi parti e taksave të ulëta, ndaj dhe me fitoren e tij, barra fiskale për të gjitha bizneset në këtë zonë, do të pësojë rënie shumë të madhe”.