Berisha: Ministri në hije i Republikanëve më doli zot, i quajti sulme politike

69
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi nga Fieri edhe deklaratat e Lulzim Bashës se baza e PD është anti-amerikane.

“Tani ai ka dalë me sloganin se jemi me Amerikën. Por nuk ka më pro-amerikan se ata që besojnë te vota e lirë. Nuk ka më pro-amerikan se ata që besojnë te transparenca, që besojnë se sovraniteti është kushti i kushteve për të qenë partner serioz i SHBA.

Këtë tubim tani ai e quan anti-amerikan dhe këto debate shpëtimtare për PD-në dhe demokracinë, qenkan anti-amerikane. Po pse? Sepse i duhet atij për karrigen e tij.

Nuk është hera e parë që ndodhem në këtë situatë. Por ne kurrë nuk do fitojmë nëse nuk jemi një parti sovrane.


Prova e parë që del për të faktuar korrupsionin e Sali Berishës apo të fëmijëve të tij, Sali Berisha merr masë ndaj vetes. Por Sali Berisha është i pathyeshëm ndaj gënjeshtrave dhe presioneve,” tha Berisha.

Sipas tij, një nga njerëzit më të rëndësishëm të republikanëve në SHBA, Richard Grenell e ka mbrojtur, duke thënë se vendimi ndaj tij është politik.

“Ne jemi aleatë të republikanëve në SHBA. Idhulli im ka qenë Regan.

Ministri në hije i republikanëve, në konferencën më të madhe vjetore të kësaj partie, ka deklaruar se Sekretari i Shtetit Blinken e ka përdorur ligjin si armë kundër kundërshtarëve të kryeministrit shqiptar, për të mos lejuar ardhjen e tyre në pushtet, nën ndikimin e George Soros. Ky njeri, që është më i informuari në botë, nuk do i dilte zot Berishës nëse nuk do kishte informacionet e tij,” tha Berisha, duke shtuar se Basha nuk bëri dot as këtë gjë, që të shprehej si republikanët amerikanë, se akuzat janë politike.