Berisha: Me Ramën do bllokohet integrimi i Shqipërisë në BE, ja pse krijoi mini-schengen

214
Sigal

Ish-Kryeministri Sali Berisha nga Korça, ku po zhvillon Foltoren e rradhës, e cilësoi si kritike situatën që po kalon Shqipëria. Berisha tha se 8 vitet që kaluan ishin më të mbrapshta për vendin dhe këtë nuk e themi për propagandë.

“Në këto 8 vite kemi bërë regres të madh. Nga kjo qeverisje, Shqipëria u shndërrua në delen e zezë të Ballkanit dhe Europës. Nga kjo qeverisje, në Shqipëri u ndërtua narkoshteti i parë në Europë. Nga kjo qeverisje, sipas DASH, Shqipëria u ndërrua në vendin kryesor të organizatave kriminale”, tha Berisha.

Sipas tij, nga kjo qeverisje, 520 mijë shqiptarë u larguan nga Shqipëria në 5 vitet e fundit, ndërsa shqiptarët sot paguhen 30 % më pak se në vitin 2013.

“Ne kishim në 2013 rrogën më të lartë mesatare të Rajonit, përfshi këtu Bullgarinë dhe Rumaninë. Nga kjo qeverisje ne humbëm “yllin polar”, integrimin europian, i cili është interes kombëtar për çdo popull në Europë.

Ne kemi jetuar në mjegullnaja, të pushtimeve të gjata, dhe falë Rilindasve tanë, ne u zgjuam si komb perëndimor. Ku jemi ne 8 vjet? Ne po ecim drejt bllokimit përfundimtar të integrimit europian.

Pse e them këtë? Sepse Europa për të na afruar ne krijoi mekanizmin e procesit të Berlinit, që ishin një shans i madh. Po çfarë bënë gangsterët e Ballkanit? Krijuan mini-schengenin. Atë e krijoi Vuçiç, sepse ai e di që dyert e Europës për të janë të mbyllura, pasi ai është një Kryeministër doktrinar. Ai ka gjetur dy vasalë Edi Ramën dhe Zoran Zaev dhe krijoi një nisëm që i kundërvihet procesit të Berlinit”, tha Berisha.