“Më ndjekin prej ditësh”/ Pas kallëzimit, arrestohet një person, procedohen 2 të tjerë – VIDEO

266
Sigal

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një person dhe ka proceduar dy të tjerë, pas kallëzimit të një personi se e ndiqnin prej ditësh.

Burime zyrtare nga blutë sqaruan këtë të Premte se, shtetasi A.T, 45 vjeç, banues në Mjedë-Shkodër, ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi dyshonte se prej disa ditësh po e ndiqnin disa persona të panjohur nga ana e tij, të cilët lëviznin me një automjet tip “Golf”.

Strukturat hetimore dhe ato operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me sherbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas njoftimit të marrë kanë organizuar punën dhe bënë të mundur lokalizimin dhe bllokimin e automjetit të dyshuar, në fshatin Mjedë, ku gjatë kontrollit ka rezuluar se në këtë automjet qarkullonin tre shtetas. Në brendësi të automjetit, Policia gjeti dhe sekuestroi tre shkopinj bejsbolli dhe një bidon me 5 litra benzinë.

Po në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me ato të Lezhës, gjetën në banesën e njërit prej këtyre shtetasve konkretisht, të shtetasit Florjan Vasija, banues në Dajç-Lezhë, dy armë zjarri gjysëm automatik dhe 821 copë fishekë luftarak.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Florjan Vasija i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” .

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy shtetasit e tjerë Z.V banues në Lezhë dhe E.D, banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër vijojnë intensivisht punën për zbardhjen edhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, ndërsa materialet proceduriale do ti referohen Prokurorisë Pranë Gjykates së Shkalles së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme”, mbyllet njoftimi i policisë.