Berisha i përgjigjet Yuri Kim: E di që ka dosje, por ato janë shpifje

54
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur nga Fieri edhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, për një deklaratë të bërë disa ditë më parë në një intervistë për Zëri ne Amerikës.

Ai tha se ambasadorja i ka thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që SHBA ka dosje, por ai nuk i beson ato dosje, por se ato janë të bazuara në raporte të NGO-ve, të organizatave të shoqërisë civile, në raporte të mediave dhe të qeverisë së Ramës dhe sipas tij janë të gjitha shpifje.

“Miqtë e mi, ambasadorja ka deklaruar para disa ditësh në Zërin e Amerikës se habitem se si njerëzit bëjnë të paditurin. Më lejoni t’ju them këtu para jush, para të gjithë shqiptarëve, zonja ambasadore ke thënë këtë, por ke thënë edhe diçka tjetër. I ke thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që ne kemi dosje, por ai nuk i beson ato dosje.

Nga e di që kanë dosje. DASH ka deklaruar se sekretari i shtetit ka marrë vendimin bazuar në raporte të NGO-ve, të organizatave të shoqërisë civile, në raporte të mediave, në raporte të qeverisë së Edi Ramës, raporte antikorrupsion që nuk janë botuar kurrë. Unë nuk kam thënë kurrë ndonjëherë që nuk janë dosjet, por ato janë të tëra shpifje dhe vetëm shpifje.

Edi Rama dy vite me radhë me Engjëll Agaçin ka çuar me dhjetëra e dhjetëra vendime të qeverisë, të gjitha i ka kthyer prokuroria e tyre si pa asnjë bazë”, deklaroi Berisha.