Berisha: Çdo vit, 10 milionë euro vjedhje me ilaçet

471
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë se nuk publikon listën e ilaçeve të rimbursuara dhe vjedh çdo vit 10 milionë euro në vit. Ish-kreu demokrat publikoi edhe një mesazh të mbërritur në adresën e tij. “Në kohën tuaj, por edhe në qeveritë e tjera, çdo vit është publikuar lista e rimbursimit për pacientët që siç e dini ka dy të mira: 1 – I kursen buxhetit të shtetit çdo vit mbi 10 milionë euro dhe: 2- Bën të mundur nga ky kursim të futen ilaçe të reja, të cilat janë mungesë për pacientin shqiptar. Por, çfarë ka ndodhur në të vërtetë: Lista ka dy vite pa u publikuar fare, që do të thotë se këto 10 milionë euro janë gllabëruar dhe po gllabërohen aktualisht nga mungesa e saj dhe nga favorizimi i monopoleve të Edi Ramës, duke iu mbushur xhepat këtyre klientëve të tij dhe duke e lënë pacientin shqiptar në mëshirën e fatit”, thuhet në mesazh. Sipas denoncimit, kryeministri për të ardhur në pushtet premtoi mjekësinë falas, duke i rrjepur pacientët nëpër spitale private, duke e zhvatur buxhetin e taksapaguesve shqiptarë dhe duke e ndarë atë me monopolet që po e grijnë këtë vend. “Listën e rimbursimit për vitin 2017 mund ta verifikoni lehtësisht që nuk e kanë vënë në zbatim, por njëkohësisht edhe për vitin 2018 më duket se e kanë rezervuar për monopolet e tyre”, vijon mesazhi.
Sigal