Kryedemokrati, Sali Berisha ka premtuar amnisti fiskale për të gjitha bizneset e vogla në 100 ditët e para të qeverisjes së demokratëve pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Premtimin lideri demokrat e bëri gjatë një turi takimesh me biznesin e vogël në kryeqytet, teksa u premtoi atyre gjithashtu ulje taksash dhe ulje të çmimit të energjisë dhe ujit.
Gjatë bashkëbisedimit me pronarët e bizneseve të vogla në Tiranë në zonën e Tregut Industrial, Berisha tha se PD është e vendosur të mbështesë fuqishëm biznesin e vogël.
Sali Berisha:
Ne jemi të vendosur të mbështesim fuqishëm biznesin e vogël sepse është biznesi që punëson më shumë dhe është biznesi që pasqyrohet më shpejt dhe më mirë në mirëqenien e njerëzve.
Çfarë do bëjmë ne? Për biznesin e vogël do ulim çmimin e energjisë nga 18 në 6 lekë.
E kemi pasur 6, në 6 do zbresim pak.
Tavanin 140 mijë euro pa taksa do e ngremë në 180 mijë euro.
Edhe kjo është një lehtësim, një frymëmarrje.
Taksat e bashkisë, të cilat shkojnë në absurditet, sepse siç e dini, kanë qenë shumë më të ulëta.
Unë për shembull isha në një treg tjetër dhe u merrte për pllakat jashtë 1500 lekë për metër katrorë, do zbresë në 120 lekë. Kur është tokë publike. do e bëjmë edhe këtë.
Ujin do e përgjysmojmë tarifën dhe bashkia nuk do mund, me ligj, të vendosë më shumë se 1 përqind të xhiros taksa. Sot shkon deri në 8 përqind të xhiros dhe sillen në mënyrë absurde.
Plus që do ketë lehtësira në dogana, çka do e bëjë furnizimin tuaj më të lirë.
Ne nuk ecim me parimin e tarifave të larta në dogana, jo, ne jemi për tarifa të ulëta…
Absolutisht, 100 ditët e para do jetë amnistia fiskale për të gjithë bizneset e vogla.
Por do jetë edhe amnistia për të gjitha gjobat, jo vetëm për biznesin e vogël, për edhe qytetarët, për pensionistët. Për këtë u garantoj.
Se ky donte me bë amnisti për trafikantët. Jo, nuk e bëjmë ne atë. Ato para nuk i duam, se ato paratë e tyre po e rrëzojnë ekonominë përtokë, po e kthejnë vetëm në ndërtim, të cilën nuk e blejnë dot se shkon çmimi sa në Mynih, sa në Paris.
Degët e tjera të ekonomisë bien.
Kështu që ne i japim fund kësaj situate dhe me vendosmëri të madhe.
Gjobat i keni të sigurta që do amnistohen…
Çdo shqiptar duhet ta kuptojë pse ne jemi kaq të vendosur për minimumin jetik? Sepse është jetik.
Nuk e kemi quajtur ne jetik. Jetik quhet në të gjitha shkencat.
Pra, ai minimum është i domosdoshëm që një njeri të mund të mbajë veten, nuk e pasuron, nuk e lumturon, por ama e përjashton nga disa dhimbje të paarsyeshme dhe ne do e bëjmë atë.
Ai është jetik dhe për ne është jetike që ta bëjmë atë.